Del para gjyqit i riu që dyshohet për vrasjen e tezakut
Në muajim prill të vitit 2020, në fshatin Nec të komunës së Gjakovës, Domenik Prenkaj dyshohet se me dashje kishte privuar nga jeta tazakun e tij, David Gjinin.
Sot, para gjykatësit Drilon Haraçia, doli i akuzuari Domenik Prenkaj (i lindur më 1995), i cili mohoi të ketë kryer veprimet të cilat ia ngarkon aktakuza dhe nuk e pranoi fajësinë.
Sipas aktakuzës së prokurores Ardita Beqiraj- Hyseni, i pandehuri dhe viktima fillimisht kishin pasur një fjalosje lidhur me kthimin e makinës së të pandehurit.
Në aktakuzë thuhet se kur viktima është kthyer në shtëpi është fjalosur me të pandehurin, nënën dhe vëllanë e tij dhe i pandehuri i thotë viktimës që mos t’i bërtasë gjyshes dhe nënës së tij.
Aktakuza thotë se më pas të dy vërsulen drejt njëri-tjetrit, ku i pandehuri merr një thikë dhe i vërsulet viktimës, ndërsa viktima e nxjerr armën, të cilën arrin t’ia largojë nëna e të pandehurit.
Sipas aktakuzës, më pas i pandehuri Domenik Prenkaj merr një pushkë mbi orman dhe në distancë prej 2-3 metra gjuan një herë në drejtim të viktimës në anën e djathtë të gjoksit, i cili dërgohet pa shenja jetë në spital.
Domenik Prenkaj po akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Seanca e radhës u caktua për më 17 qershor.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.