Foto: KALLXO.com

Gjakovë, i akuzuari mohon se 18 qeset me drogë i kishte për shitje

Besnik Shotani, i akuzuar nga Prokuroria e Gjakovës, për blerje e shitjes të drogës, nuk e pranoi një akuzë të tillë.

Ai u deklarua i pafajshëm, duke kundërshtuar që ka shitur drogë.

Aktakuza thotë se Shotanit i ështe gjetur marihuanë dhe heroinë.

Në këtë rast, përfaqesuesi i aktakuzës, prokurori Ali Uka, tha se akuza do të vërtetohet gjatë shqyrtimit të provave.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuari Besnik Shotani, avokati Masar Vula, kërkoi nga Gjykata e Gjakovës që klientit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit, në mënyrë që ai të mbrohet në liri.

Mirëpo, gjykatësi Shaqir Zika caktoi datën 10 shkurt për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj.

Ndërkaq, lidhur me propozimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit, Gjykata njoftoi se do të vendosë me vendim të veçantë.

Sipas aktakuzës, në dhomën e gjumit të të pandehurit, Policia kishte gjetur 4 qese të mbushura me marihuanë dhe 14 të tjera me heroinë.

Aktakuza shpjegon se qeset e marihuanës kanë peshuar 30.59 gramë, ndërsa ato të heroinës 3.12 gramë.

Për këto, Prokuroria po e akuzon Shotanin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.