Dosja ndaj të akuzuarit që mashtroi mbi 40 persona me bileta dhe rezervime në Turqi

E. I. qytetar nga Peja, pronar i agjencionit “P R” është dënuar me 3 vite burg, 5,000 euro gjobë dhe ndalim veprimtarie, pasi Gjykata në Klinë ka konstatuar se i njëjti kishte përfituar rreth 45,000 euro nga mashtrimet e njëpasnjëshme që jua kishte bërë plotë 40 klientëve të tij me bileta udhëtimesh e rezervime hotelesh.

Viktimat e kishin kontaktuar secili veç e veç të pandehurin përmes rrjeteve sociale “Facebook” dhe “Instagram” e më pas e kishin takuar edhe fizikisht me ç’rast të njëjtit i kishin bërë pagesat për biletat e aeroplanit e rezervimet e hotelit në Turqi.

Aktgjykimi nxjerr në pah se disa viktima pasi kishin mbërritur në Aeroportin e Prishtinës kuptojnë se nuk kishte bileta aeroplani të rezervuara në emër të tyre.

Dosja e Gjykatës sqaron e se në disa raste të tjera klientët pasi kishin mbërritur në Turqi kishin kuptuar se nuk ishte kryer rezervimi në hotelet e caktuara, e në shumë raste ata kishin mbetur nëpër aeroporte pa pasur mundësi të ktheheshin, pasi biletat e rezervuara si dydrejtimëshe kishin dalë të jenë njëdrejtimëshe.

Tutje dosja sqaron se këto rrethana i kanë vënë në pozitë tejet të palakueshme udhëtarët duke i detyruar të paguajnë edhe kosto shtesë, në anën tjetër Gjykata erdhi në përfundimin se i kanë krijuar përfitime tejet të majme E. I.

I akuzuari veprën e kishte kryer për një kohë të gjatë dhe ndaj një numri të madh viktimash, E. I. e pranoi fajin, u shpreh thellësisht i penduar dhe i gatshëm t’i kompensoj viktimat, thuhet në dosjen e gjykatës.

Avokati i tij mbrojtës u deklarua se: “Ju [gjykata] me rastin e vendosjes do të hasni [në] deklarimin e të dëmtuarve të cilët e kanë shfrytëzuar në tërësi pushimin, por pakënaqësi ka qenë se i kanë vendosur në hotele të tjera”.

Megjithatë gjykata vendosi se pikërisht rrethanat rënduese: veprimet e vetëdijshme,  kohëzgjatja e tyre dhe numri i madh i viktimave peshonin mbi ato lehtësueset.

Në aktgjykim përmendet edhe gjykimi i gjyqtarit se i pandehuri pikërisht përmes rrethanave të caktuara të rastit ka treguar se ka prirje të theksuara të sjelljes kriminale.

Kjo mund të mos jetë hera e fundit që E. I. përballet me organet e drejtësisë, sepse Gjykata e Klinës i udhëzoi të gjitha palët e dëmtuara që kërkesat pasurore t’i realizojnë në kontest të veçantë civil.