Dosja e Prokurorisë: Veprimet e policit të dyshuar nga ahengu me 'shahira' deri te vrasja

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Gjilanit ku përshkruhen veprimet e policit Vllaznim Hamdia, i dyshuar për vrasjen e Lulzim Spahiut.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i dyshuari derisa kishte qenë duke udhëtuar së bashku me dy persona tjerë, një grua dhe një burrë rreth orës 04:50 min. të datës 29.12.2019 kishe pësuar një aksident me një kamion.

“I pandehuri me datën 29.12.2019, rreth orës 04.50 minuta, në rrugën ‘NATO 99’ në Gjilan, derisa ishte me veturën e tij të markës Craysler Sebrig me targa vendore, në shoqëri të personave M. H. dhe B. L., pasi arrin te udhëkryqi që të dërgon në lagjen ‘Gavran’, shkakton aksident trafiku me kamionin e llojit Mercedes, të cilin ishte duke e drejtuar viktima Lulzim Spahiu”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Tutje në dosje përshkruhen veprimet tjera të policit të dyshuar, cili sipas Prokurorisë kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës pasi ky i fundit ishte futur në kamion.

“Pas aksidentit i dyshuari Vllaznim Hamdia del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimit dhe sharjeve në mes tij, viktimës Lulzim Spahiu dhe djalit të viktimës B. S., i njëjti e nxjerr armën zyrtare nga brezi dhe pas disa shtyrjeve dhe përpjekjeve nga dëshmitarja M. H. dhe B. L. që ta ndalojnë të dyshuarin Vllaznim Hamdia që të mos gjuaj me armë, e pasi viktima hynë në kamion dhe e mbyll derën, ndërsa dritarja e kamionit ishte e hapur, i dyshuari i afrohet afër të dera dhe me armë zyrtare të llojit GLOCK shkrep një herë në drejtim të viktimës me ç`rast e godet viktimën Lulzim Spahiu një herë në vetullën e syrit të djathtë, me ç`rast viktima ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në dosjen e hartuar nga Prokuroria e Gjilanit.

Detaje tjera të përshkruara në dosjen e prokurorisë, tregojnë se i dyshuari para se t`i ndodhte aksidenti dhe gjuajtja me armë në drejtim të tashmë të ndjerit Lulzim Spahiu, kishte qëndruar në një kafene duke dëgjuar muzikë me sharkia.

“I dyshuari Vllaznim Hamdia me datën 29.12.2019 pas mesnate në restorantin “E….” në fshatin Malishevë gjersa ishte duke dëgjuar muzikë live me sharkia, nxjerrë armën e llojit Bereta, e cila është me gas dhe e shkrep në brendësi të restorantit dy herë në drejtim të tokës, ku herën e parë së paku gjashtë herë, ndërsa herën e dytë së paku tre herë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

KALLLZO.com më herët raportoi se si polici Vllaznim Hamdia, i dyshuar për vrasjen e Lulzim Spahiut, ishte sjellë nën masa të rrepta të sigurisë në Gjykatën e Gjilanit.

Ai siç raportoi KALLXO.com ka rrëfyer momentin kur ka gjuajtur me armë në drejtim të tashmë të ndjerit Lulzim Spahiu.

“Në momentin kritik nuk kam qenë i dehur pasi që para atij momenti kam pirë. Por rasti ka ndodhur pas 6 apo 7 ore”, ka thënë ai para gjykatësit të gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Polici i dyshuar tutje ka rrëfyer se viktimën kurrë nuk e ka njohur as nuk e ka takuar.

“Kur ka ndodhur aksidenti jam kërcënuar nga pasagjeri, i cili ka qenë në kamion. Momentin kritik i kam pasur tri revole, njëra nga to ka qenë me gaz, revolen zyrtare e kam pasur në brez dhe nuk e kam pasur uniformën veshur. Unë kam shkrepur me armë zyrtare, por nuk e kam pasur qëllim ta godas viktimën”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se nuk e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit për caktimin e paraburgimit, ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiun.

Ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë ka ndodhur derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i dyshuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i dyshuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i dyshuari Vllaznim Hamdia dyshohet se ka kryer vrasja të rëndë.

Tutje sipas kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale si: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.

Vllaznim Hamdia Dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm,  pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit ka shkrepur me armë zjarri.

Vrasja në Gjilan, babai i viktimës rrëfen si iu vra djali

Vrasja në Gjilan, babai i viktimës rrëfen si iu vra djali

.