Foto: KALLXO.com

Vrasja në Gjilan, babai i viktimës rrëfen si iu vra djali

Familja Spahiu nga Muqivërca e Kamenicës ka hapur dyert për ngushëllime. Kjo pasi që djali i tyre Lulëzimi u vra mëngjesin e sotëm në Gjilan. Vrasja dyshohet se u krye nga një zyrtar policor.

Në orët e hershme, Lulëzim Spahiu kishte ngarkuar disa kafshë dhe ishte nisur për t’i shitur në Prizren.

Mirëpo, gjatë rrugës ai ishte aksidentuar me një veturë.

Sipas rrëfimit të familjarëve, pas aksidentit, i cili kishte qenë i lehtë, Lulëzimit nuk i ishte dhënë mundësia e sqarimit.

I dyshuari e kishte qëlluar me armë derisa ai ishte në kabinën e kamionit.

Kështu i ka rrëfyer gjyshit të tij djali i viktimës.

Shtëpia e familjes Spahiu në Muqivërcë – Foto: KALLXO.com

Selver Spahiu është babai i Lulëzimit që u vra sot.

Për KALLXO.com ai rrëfen se çfarë i kishte treguar për ngjarjen nipi i tij, djali i Lulëzimit.

“Djali është çu në mëngjes dhe së bashku me nipin janë nisur për në Prizren për të transportuar disa kafshë që të fitojmë bukën e gojës. Siç ka treguar nipi im, që ka qenë bashkë me babanë, ai ka thënë se polici ka qenë me kerr personal dhe nuk ka pasur uniformë. Nuk ka dhanë hapësirë as me u sqaru ose me kallxu çfarë dëmi është bërë se kjo punë ish krye bre edhe me pare”, rrëfen babai i Lulëzim Spahiut, duke shtuar se djali i është vrarë për “një gërvishtje të vogël”.

Babai rrëfen tutje për ekipin e KALLXO.com se djali dhe nipi ishin së bashku ndërsa ky i fundit e kishte parë të gjithë ngjarjen.

“Ma ka vra djalin në sy të nipit. Nipi hala është i traumatizuar”, rrëfen me lot në sy Selver Spahiu.

Tutje babai i Lulëzim Spahiut tregoi edhe se sipas nipit, polici ka qenë në gjendje të dehur dhe se nuk i ka dhënë hapësirë sqarimi Lulëzimit por e ka qëlluar deri sa ai ishte brenda kamionit.

“Nipi ka treguar se polici ka qenë në gjendje të dehur, ka qenë pa uniformë dhe veç ka ardhur ku kanë qenë të parkuar edhe e ka vra. M’ka shku djali për një problem që kish mujtë me u kry me pare. Nëse kish pësu dëme në veturë na bre e kishim pagu, po qysh me ma vra djalin për një aksident”, vazhdon rrëfimin Selver Spahiu.