Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Dosja e dhunimit, Apeli e kishte konsideruar "të ulët” dënimin me 2 vite burgim

Fakte dhe dyshime të reja po shfaqen në dosjen e aktgjykimit kundër të akuzuarit për dhunimin e 15-vjeçares nga Gjakova.

KALLXO.com ka siguruar një vendim të Gjykatës së Apelit i cili vite më parë e kishte refuzuar dënimin prej 2 viteve burgim për të akuzuarin e këtij rasti.

Apeli kishte konstatuar se Gjykata e Pejës nuk i kishte arsyetuar rrethanat të cilat kishin dërguar në një vendim kaq të ulët për rastin e dhunimit i cili kishte ndodhur në vitin 2012.

“Meqenëse gjykata nuk ka dhënë asnjë arsye se cilat ishin rrethanat veçanërisht lehtësuese që është udhëhequr me rastin e shqiptimit të dënimeve dhe dispozitat e për zbutjen e dënimit nën minimumin e paraparë ligjor nuk janë aplikuar drejtë, aktgjykimi është i përshirë në shkelje esenciale të procedurës penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Mirëpo edhe përkundër faktit se Apeli i kishte konsideruar si të paarsyetuara rrethanat të cilat e kishin dënuar me 2 vite burgim të akuzuarin për dhunim, gjyqtarja Florije Zatriqi vendosi që të njëjtin ta dënojë edhe më pak.

Ajo në kundërshtim me udhëzimet e Gjykatës së Apelit dhe me më pak se një faqe arsyetim të dënimit, ka vendosur ta ndëshkoj me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin e 15-vjeçares përkundër faktit se vepër e tillë sipas ligjit do duhej të ndëshkohej nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos faktit se nuk ishin respektuar udhëzimet e Apelit, rasti rëndohet edhe më shumë kur kuptohet se prokurorja nuk ushtroi fare ankesë e cila do ta trajtonte dënimin e këtij rasti.

Të hënën KALLXO.com raportoi se si gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin e një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se “viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K. së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas Prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikte nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K. e kishte pranuar fajësinë.

Pas publikimit të vendimit pati reagime nga udhëheqësit e sistemit të drejtësisë.

Përmes një komunikate publike kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kërkoi ndërmarrjen e masave kundër gjyqtares Zatriqi.

Të njëjtën kërkesë e parashtroi edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kundër prokurores së rastit.

Pa reaguar nuk mbeti as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se vendime të tilla nuk i përkrahin viktimat.

https://kallxo.com/lajm/thellohet-skandali-prokuroria-u-pajtua-me-denimin-8-muajsh-ndaj-dhunuesit-te-15-vjecares/