Thellohet Skandali – Prokuroria u pajtua me dënimin 8 muajsh ndaj dhunuesit të 15 vjeçares

Dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nuk mund të rritet.

Kjo pasi Prokuroria e Pejës është pajtuar me lartësinë e këtij dënimi, pasi nuk ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

KALLXO.com mëson se prokurore e këtij rasti ishte prokurorja e departamentit për të mitur Lirije Morina.

Sipas aktgjykimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se në fjalën përfundimtare prokurorja Morina nuk ka propozuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, përderisa ka kërkuar nga Gjykata që të ketë parasysh një mori rrethanash lehtësuese.

“Pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetëm në tërësi pranë akuzës dhe kualifikimit juridik dhe propozoj që i njëjti të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit. I propozoj gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit t`i merren parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si, pranimi i fajësisë, koha e kryerjes së veprës penale pasi kanë kaluar gati 10 vite, rrethana se i akuzuari ka qenë madhor i ri, deklarimi i të dëmtuarës se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime”, përshkruhet në aktgjykim.

Aktgjykimi me dënimin prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi asnjëra nga palët nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Plotfuqishmërinë e këtij vendimi si rezultat i mungesës së ankesës e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

“Lidhur me kërkesën tuaj për informacione, ju njoftojmë se ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë PKR.nr.141/15, nuk është ushtruar ankesë dhe i njëjti është bërë i plotfuqishëm më datë 20 gusht 2021”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Sipas Kodit të Procedurës Penale kundër aktgjykimit pala e pakënaqur me lartësinë e dënimit mund të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo këtë të drejtë nuk e ka shfrytëzuar Prokuroria e Pejës e cila dënimin me 8 mauaj e 8 ditë burgim e ka konsideruar si të mjaftueshëm në këtë rast.

KALLXO.com dje gjatë ditës ka raportuar për dënimin skandaloz të gjykatës së Pejës në një rast penal i cili sipas Ligjit do duhej të gjykohej nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15 vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P. K. së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15 vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikte nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P. K. e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P. K. duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21 vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bënë fakti se tashmë i dënuari P. K. nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.

Pas publikimit të lajmit kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe një numër i madh i organizatave jo qeveritare në Kosovë.

Skandal – Gjykata e Pejës e dënon me vetëm 8 muaj burg dhunuesin e 15 vjeçares