Dështoi seanca e rigjykimit për marrje ryshfeti ndaj ish doganierëve

Ish-doganierët A. K. dhe B. P., të akuzuar për marrje ryshfeti, dhe L. B., H. L. dhe I. L. të akuzuar për dhënie ryshfeti sot pritej që të përballeshin me akuzat e Prokurorinë në rigjykimin ndaj tyre.

Por në mungesë të të akuzuarit H. L. të cilit ftesa i ishte dërguar në mënyrë të rregullt, por gjykata nuk kishte provë se i njëjti ftesën e kishte pranuar, seanca e sotme dështoi të mbahej.

Në sallë prezent ishte edhe dëshmitari F. N., i cili sipas udhëzimit të Apelit do të dëgjohej sot.

Kujtojmë se më 7 shtator 2019, gjykata dënoi dy ish-doganierët K. dhe P. me nga 6 muaj dënim me kusht dhe nga 4 mijë euro dënim me gjobë.

Ndërsa L. B. dhe H. L. për dhënie ryshfeti ishin dënuar me gjobë me nga 4 mijë euro, kurse I. L. ishte liruar nga akuza për dhënie ryshfeti.

Me ankesën e avokatëve Alban Makolli, Besnik Berisha e Lutfi Shala, lënda kishte shkuar në gjykatën e shkallës së dytë për vendosje.

Apeli më 12 dhjetor 2019, mori vendim me të cilin e prishi vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e ktheu në rigjykim.

Apeli kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmbante shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë ishte kundërthënës me arsyetimin e tij, po ashtu gjykata nuk kishte arsyetuar pse disa fakte i ka marrë si të vërtetuara, se provat nuk ishin vlerësuar veç e veç dhe në përputhje me njëra tjetrën.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e saj, seanca e radhës u caktua për datën 17 korrik ora 13:30.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit A. K. dhe B. P. në nëntor të vitit 2015 kishin kërkuar dhe marrë shumën prej 450 euro si ryshfet nga I. L., i cili ishte dërguar nga H. L.

Ky ryshfet, sipas Prokurorisë, ishte dhënë në mënyrë që malli të mos ekzaminohej sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës. Kjo pasi që Dogana e Kosovës kishte vërejtur gjatë ekzaminimit të mallit të H. L., i cili ishte sjellë për t’u zhdoganuar, se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër, siç kishte deklaruar H. L., por edhe mall të ri.

Ndërsa L. B., pronar i firmës “Euro Joni Kosova”, sipas Prokurorisë kishte biseduar vazhdimisht me B. P. dhe H. L. duke e bindur atë që t’i japë ryshfetin prej 450 euro zyrtarëve doganorë me qëllim që malli të zhdoganohej.

 

(Shënim nga Redaksia e KALLXO.com – Të akuzuarit janë shpallur ta pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë, prandaj emrat e të akuzuarve janë kthyer në iniciale me kërkesën e tyre, pasi Kallxo ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për një kërkesë të tillë. Koha e editimit të shkrimit 11:45 – 28.12.2023).