ATK suspendon inspektorin e arrestuar për ryshfet
Administrata Tatimore e Kosovës e ka suspenduar nga puna inspektorin D. F., i cili u arrestua mbrëmë në lidhje me dyshimet për korrupsion.
D. F. u arrestua mbrëmë nga policia e Kosovës në Gjakovë, pasi dyshohet se kishte për të marrë 500 euro ryshfet.
Kohëve të fundit kemi mjaft raste të arrestimit të inspektorëve tatimor.
Disa javë më parë nën dyshimet për korrupsion u arrestuan edhe inspektorët Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli.
Ata dyshohet se kishin marrë para nga një biznes me qëllim që të mos e ndëshkonin.
Me vendim të ATK-së, edhe këta inspektorë janë pezulluar nga puna.
Nga puna në ATK ishin suspenduar edhe zyrtarët Samir Ismajli dhe Safet Krasniqi. Ismajli ishte arrestuar nën dyshimet se kishte marrë 7 mijë euro nga një biznes, ndërsa Safet Krasniqi ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosvës pas akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare të ngritur ndaj tij.
Safet Krasniqi ishte shef ekipe i Njësisë së Hetimeve dhe Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre i pozitës së drejtorit të Hetimeve në ATK nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet kontrolli, apo vizitë duke e dëmtuar kështu qëllimisht buxhetin e Kosovës.
Sipas aktakuzës, Safet Krasniqi i kishte autorizuar disa zyrtarë të ATK-së për të vizituar disa biznese dhe për t’ua korrigjuar deklarimet tatimore, ndonëse për to kishte deklarime se punonin me fatura të dyshimta.