Arkiv

Avokati i biznesit thotë se shumat e kërkuara nga ish-punëtori i aksidentuar në vendin e punës janë shumë të mëdha

Në Gjykatën e Ferizajt më datë 06.03.2024 palët ndërgjyqëse në padinë e ish-punëtorit të “EURO ABI”, kundër këtij biznesi për shkak të lëndimeve të pësuara në vendin e punës, kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Labinota Qosa- Ilazi, avokate e paditësit Mentor Ramadani, ky i fundit dikur i punësuar si llamarinëpunues në kompaninë “EURO ABI”, tha se qëndrojnë prapa fjalës përfundimtare të dorëzuar në gjykatë më 19.11.2018.

“Kërkojmë nga gjykata që të detyrohet e paditura që paditësve Ramadush dhe Nexhmije Ramadani, prindërit e paditësit të parë në emër të shpërblimit të dëmit jo material për dhimbje shpirtërore për shkak të invaliditetit të specifikuar si në ekspertizë t`i paguaj shumën prej 25,000 euro në total, për secilin veç e veç 12,500 euro”- është deklaruar avokatja Labinota Qosa- Ilazi sipas procesverbalit të seancë së mbajtur të mërkurën më 06.03.2024 në Gjykatën e Ferizajt.

Por përveç kësaj shume, përfaqësuesja Labinota Qosa- Ilazi në emër të paditësve ka kërkuar edhe shpenzimet procedurale të gjithë gjykimit, si dhe të gjitha këto me kamatë ligjore.

Eset Berisha, avokati i palës së paditur tha se mbeten pranë fjalës hyrëse dhe deklarimeve në seancën kryesore dhe seancës së datës 12.02.2024, me “të cilën e kemi kontestuar kërkesëpadinë e paditësve për shkak të shumave të specifikuara në kategorinë për shkaktimin e dëmit ndaj paditësit i cili është kërkuar të aprovohet nga gjykata”.

Berisha tha se ashtu sikur seancën e kaluar e kontestojnë zgjerimin e padisë në këtë fazë të procedurës, pasi që konsiderojnë se kjo kërkesë është parashkruar në kuptim të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore.

“Këtë konstatim e mbështesim në faktin se për veprën penale të asgjësimit, dëmtimit dhe heqjes së pajisjeve mbrojtësve gjykata ka vendosur me vendim të formës së prerë”- u shpreh ndër të tjera avokati i autorizuar i “EURO ABI”.

Më tutje avokati tha se shuma e kërkuar nga “EURO ABI” është shumë e lartë.

“Konsiderojmë se janë shuma shumë të mëdha dhe nuk përkojnë me qëllimin e satisfaksionit material të palës së dëmtuar siç kërkon ligji përkatës”- deklaroi përfaqësuesi i “EURO ABI”.

Në veçanti nga ai u theksua kërkesa lidhur me shpenzimet e mjekimit të cilat avokati tha se janë kërkuar në lartësi shumë prej 7,704.58 euro nga të paditurit, dhe sipas ekspertizës së fundit financiare kjo shumë ishte përllogaritur në 5,685.35 Euro.

Kontestim lidhur me shumat e kërkuara nga paditësi pati edhe lidhur me ndihmën dhe kujdesin dhe kujdesin, sa i përket rentës për shkak të aktivitetit të zvogëlimit punues.

Në të dy rastet avokati i “EURO ABI” tha se është kërkuar shumë më e lartë nga palët e paditura nga ajo të cilën e ka caktuar ekspertiza.

Po ashtu nga i njëjti u kundërshtua edhe lartësia e kamatës prej 8% në vit prej ushtrimit të padisë.

“Bazuar në të gjitha faktet dhe provat e administruara, e në mbështetje të ekspertizës mjekësore dhe mjekut të punës, konstatohet se paditësi Mentor Ramadani ka pësuar zvogëlim të aktivitetit të përgjithshëm prej 26.875% dhe se sipas super ekspertizës së datës 27.08.2021 përgjegjësia për shkaktimin e aksidentit i është e ndarë në mes paditësit dhe të paditurës”- deklaroi avokati Berisha.

Gjithnjë sipas procesverbalit të seancës së datës 06.03.2024, të siguruar nga Kallxo.com, paditësi kishte dështuar t’i përmbahet detyrimeve të tij sipas Ligjit për sigurinë dhe mbrojtën e shëndetit në punë.

Në fund të fjalës së tij përfaqësuesi i “EURO ABI” i propozoi gjyqtarit të vetëm gjykues Bekim Salihu që ta refuzoj kërkesëpadinë e paditësve të tjerë në lidhje me shpërblimin e dëmit jo material, dhe ta konstatoj përgjegjësinë e ndarë për paditësin 70% dhe të paditurën 30%.

Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim vendimin e shkallës së parë, e cila kishte vendosur që kjo kompani t’ia paguajë Mentor Ramadanit kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumë prej 55 mijë e 828 euro e 58 cent.

Kadrush Rexhepi pronar i “EUROABI” ishte gjetur fajtor dhe dënuar me gjobë me 3 mijë euro nga Gjykata e Ferizajt në janar të këtij viti për falsifikim të kontratës së punës së këtij punëtori.

Mirëpo kjo nuk është çështja e vetme penale që pronari i “EURO ABI” është përballur me drejtësinë për këtë punëtor.

Ndaj Kadrush Rexhepit kanë rënduar edhe akuzat për veprën penale të asgjësimit, dëmtimit ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Sipas dosjes së prokurorisë në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i kishte siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.

Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinëpunues në firmën “EURO ABI”, kishte qenë duke bartur një panel llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.

Edhe në këtë gjykim, i dëmtuari Ramadani kishte shprehur se i është falsifikuar nënshkrimi dhe nuk ka kontratë pune.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në lidhje me këtë rast, prokurori Ramiz Buzhala ishte ndëshkuar me masë disiplinore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Emisionin e plotë të Drejtësia në Kosovë mund ta ndiqni më poshtë.

KALLXO.com pas hulumtimit, me shkresë të veçantë kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, për sjelljen e prokurorit Buzhala.

 

Raportimet e KALLXO – LINK