Apeli vërteton paraburgimin ndaj dy të dyshuarëve për spiunazh, refuzohen ankesat e avokatëve

Gjykata e Prishtinës, më 06.06.2024, u kishte caktuar masën e paraburgimit Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të arrestuar më 05.06.2024, nën dyshimin për spiunazh.

Kështu, Gjykata e kishte miratuar më 06.06.2024  kërkesën për paraburgim të bërë nga Prokuroria Speciale.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore mbi masën e sigurisë të caktimit të paraburgimit, të dyshuarit ishin transferuar nga Gjykata përmes tunelit.

Vendimin e shkallës së parë për caktim të paraburgimit e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, pasi ndaj tij kishin bërë ankesë avokatët që mbrojnë të dyshuarit, Besnik Berisha dhe Ridvan Kajtazi, me pretendimet për shkelje të drejtës për liri dhe dispozitave të procedurës penale.

Sipas vendimit të Apelit të nxjerrë më 14.06.2024, ankesat e avokatëve Berisha dhe Kajtazi i ka gjetur të pabazuara.

Çka thotë Vendimi i Apelit?

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i Gjykatës Themelore për paraburgimin e të dyshuarëve është i drejtë dhe i ligjshëm, ngase, sipas kësaj gjykate, mbi të dyshuarit ekziston dyshimi se e kanë kryer veprën penale duke u bazuar në raportet e veçanta hetimore, raportet e vëzhgimit, komunikimet përmes telefonit, të dhënat nga vendkalimet kufitare, raportet e bastisjeve, sekuestrimet si dhe shkresat tjera.

Tutje në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, Apeli i ka dhënë të drejtë Themelores kur ka vlerësuar se rreziku i ikjes është potencial tek këta të dyshuar duke marrë parasysh edhe peshën e veprës penale, për shkak që vepra penale ka të bëjë me sigurinë e shtetit.

“Pra, në këtë çështje penale marrë në konsideratë të theksuarat më lartë dhe faktin se kemi të bëjmë me një vepër penale të rënd e komplekse, rreziku real i shmangies nga ndjekja penale e të pandehurëve është evidente “ – thuhet në vendimin e Apelit.

Rreziku i ikjes, sipas vendimit të Apelit, bazohet edhe në atë se të dyshuarit kanë udhëtuar shpesh në Serbi, Sarajevë, Maqedoni apo edhe vende tjera, ku njëri nga të dyshuarit ka edhe familjarë.

Një rrezik tjetër për të cilin Apeli ka vlerësuar se të dyshuarit duhet të jenë në paraburgim është edhe ai i asgjësimit, fshehjes, ndryshimit, flasifikimit të provave dhe pengimit të rrjedhes normale të procedurës penale, e ndikimit të dyshuarëve tek njëri – tjetri.

“…Pasi që hetimi në këtë çështje penale është në fazën fillestare të tij dhe me lënien ne liri të pandehurve ekziston rreziku që pandehurit do t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose do ta pengojnë rrjedhën nonnale të hetimeve, e veçmas mund të ndikojné tek njëri-tjetri..” – përshkruhet tutje në vendim.

Veprimet e të dyshuarëve ndërlidhen mes vete meqenëse, sipas vendimit të Apelit, e kanë kontaktin e përbashkët me zyrtarin e “BIA”-së dhe poashtu mund të ndikojnë edhe në dëshmitarët, pasi policia është duke punuar në identifikimin e disa prej tyre që nuk janë identifikuar ende.

Përveç rrezikut të ikjes, ndikimit në procedurë penale e fshehjes së provave, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale për shkak që personi ndërlidhës i “BIA”-s ende nuk është arrestuar e komunikimet me të mund të përsëriten nëse të dyshuarit lihen në liri.

Në vendim përshkruhet se i dyshuari Bedri Shabani “dyshohet se gjatë kryerjes së veprës penale gjatë gjithë kohës ka ndryshuar numrat e telefonit dhe pajisjet telefonike, ku i ka njoftuar edhe bashkëbiseduesit e tij se po i ndërron numrat e telefonit dhe po i asgjëson ata me qëllimin e vetëm për t’i ikur hetimit…” – përshkruhet tutje.

Gjykata e Apelit në fund të vendimit të saj, ka theksuar se masat tjera janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarëve në procedurë, dhe masa e paraburgimit është e domosdoshme.

Avokati Besnik Berisha kishte kërkuar që vendimi për masën e sigurisë të paraburgimit të ndryshohet dhe klientit të tij Bedri Shabanit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, kurse avokati Ridvan Kajtazi kishte kërkuar që klienti i tij, Muharrem Qerimi, të lihet në liri.

Kolegji i Gjykatës së Apelit që mori vendim mbi refuzimin e ankesave të avokatëve dhe vërtetimin e vendimit të shkallës së parë përbëhet nga Afërdita Bytyqi – kryetare, dhe anëtarët Burim Ademi dhe Vaton Durguti.

Gjyqtari i procedurës paraprake për këtë rast në shkallë të parë është gjyqtari Valon Kurtaj.

I dyshuari Bedri Shabani ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv, kurse tjetri me inicialet Muharrem Qerimi. Sipas burimeve të KALLXO.com ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011.

Dy të dyshuarve u ishin gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Një informacion të tillë shtesë në lidhje me arrestimin e dy të arrestuarve në Ferizaj më 05.06.2024 e kishte bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Policia kishte njoftuar se gjatë kontrollit në lokacionin e të dy të dyshuarve janë sekuestruar këto dokumente dhe pajisje si prova materiale.

Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është: kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.

Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.

Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:

– kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;

– kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burg

– kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.

Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin