Kërkohet paraburgimi për dy të dyshuarit për spiunazh
Prokuroria Speciale ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj dy të dyshuarve, B.SH., dhe M.Q..
Kërkesa i është dorëzuar Gjykatës së Prishtinës sot më 06.06.2023 dhe jo më larg se ditën e nesërme, më 07.06.2024, do të mbahet seanca dëgjimore dhe do të vendoset lidhur me kërkesën e prokurorisë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
“Është bërë kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit për dy të dyshaurit” – tha Liridona Kozmaqi nga PSRK.
Dy të dyshuarve shqiptarë të arrestuar për spiunazh, B.Sh. dhe M.Q., u janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.
Një informacion të tillë shtesë në lidhje me arrestimin e dy të arrestuarve në Ferizaj më 05.06.2024, e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Policia njoftuar se gjatë kontrollit në lokacionin e të dy të dyshuarve janë sekuestruar këto dokumente dhe pajisje si prova materiale.
I dyshuari B.Sh. ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv, kurse tjetri me inicialet M.Q. sipas burimeve të KALLXO.com ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011.
Kërkesa është parashtruar nga Prokurori Special, Afrim Shefkiu, ndwrsa Gjyqtar i çështjes është Valon Kurtaj.
Dy persona ishin arrestuar dje në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh më 05.06.2024. Policia e Kosovës ka kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme në Ferizaj.
Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridona Kozmaqi e kishte konfirmuar dje më 05.06.2024 konfirmuar për KALLXO.com se të arrestuarit janë nën masën e ndalimit 48 orësh me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“Mund të konfirmoj se në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në janë realizuar bastisje në dy lokacione, të njëjtit dyshohen për veprën penale të spiunazhit” – kishte thënë Kozmaqi për KALLXO.com.
Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.
Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.
Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:
– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;
– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;
– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.
Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.
Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin
Kosova e ka Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë qëllim i të cilit është “themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione”.