Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP

Zyra e BE-së në Kosovë: Shprehim keqardhje që nuk u morën parasysh komentet tona për tri ligje

 

Bashkimi Europian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilët janë në lexim të dytë në seancën e Kuvendin e Kosovës më 27.06.2024.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, BE thotë se është shqetësues fakti se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që unioni europian ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi.

“Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil”- thuhet në komunikatë.

“Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”- theksohet tutje në njoftim.

Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.

“Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Europës”- thotë BE-ja.

Kurse lidhur me projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shpreh keqardhjen që Kosova nuk kishte kërkuar një opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias “përkundër faktit se me vendosjen e Komisionit Para-Zgjedhor plotësim/ndryshimet parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve jo prokuror”.

“Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”- nënvizon unioni europian.

BE vlerëson se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe se vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit.

“Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe europiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet europiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”- përfundon BE.

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë seancë plenare më 27.06.2024, me ç ‘rast në rend dite janë edhe shqyrtimi i dytë Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i dytë Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe shqyrtimi i dytë Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar bashkë me amandamentet e tij, raportin për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 30.05.2024.

Në mbledhjen e 30.05.2024 që zgjati rreth gjashtë orë morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, Njazi Isaku, Fitim Haziri, Besim Muzaqi, Adelina Idrizi dhe deputetja e grupit multietnik Fidan Jilta.

Deputetët e LVV-së, Nijazi Isaku dhe Fitim Haziri kanë abstenuar.

Komisioni për Media miraton raportin për Projektligjin për KPM-në