Sonja Biserko
Biserko: Ideja për "Serbinë e Madhe" ende ekziston
Aktivisja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në të cilin po insiston Beogradi paraqet ndarje etnike, diçka që sipas saj, është dëshmuar me rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës se nuk funksionon.
Në diskutimin “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dinamika të reja në proces dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”, ajo theksoi se Serbia ende nuk e ka mbyllur çështjen kombëtare gjë që shkakon mosbesim tek vendet fqinje për shkak të pretendimeve territoriale.
“Deklarimet nga Beogradi se Asociacioni është prioritet do t’i kundërshtoja me argument, sepse është ndarje etnike që ka dëshmuar mosfunksionalitet në Bosnje. Nga ana tjetër kemi një shoqëri me një shtet të centralizuar ku nuk përmendet kjo. Decentralizimi në Serbi shihet si ndarje”- është shprehur Biserko.
Sipas saj, Serbia viteve të fundit ka pësuar regres demokratik.
“Gjendja në Kosovë është më mirë se në Serbi e cila ka pësuar regres demokratik në 10 vitet e fundit … Jemi në një situatë ku çështja kombëtare e Serbisë nuk është e mbyllur, andaj nuk do ketë stabilitet në rajon për shkak të qëllimeve të saj. Fqinjët nuk i besojnë. Siç e dini, së fundmi ka pasur ribashkim të serbëve në rajon me një deklaratë që ka shkaktuar reagim edhe nga bashkësia ndërkombëtare”- shtoi ajo.
Biserko më tej shtoi se edhe ideja për ‘Serbinë e Madhe’ ende ekziston.
“Infiltrimi i Rusisë ka nisur shumë më herët, qysh prej aneksimit të Krimesë ku edhe nisi ky fjalori për krijimin e ‘botës serbe’, se serbët e mbetur jashtë territorit po diskriminohen. Kjo u bë si problem vetëm pas pushtimit në Ukrainë”, shtoi ajo.
Sipas saj, pa prezencë të SHBA-së nuk do ketë marrëveshje në Bruksel.
“Serbia në njërën anë flet për dialog, në anën tjetër e shkatërron atë. Serbia ka prishur çdo përpjekje të serbëve në Kosovë për integrim, marr parasysh që janë tërhequr nga institucionet”- tha më tej Biserko.
Komuniteti serb në veri, sipas saj, është i frustruar sepse është lënë me shpresë se ndarja është e mundshme.
“Është e vështirë t’u qasesh tash. Duhet të mendohet për një strategji që t’u qaset në mënyrë graduale, që t’i largojë nga ndikimi i Beogradit. Ndoshta edhe ndonjë instrument ndërkombëtar për integrim”- shtoi Biserko.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011, por shumë nga dhjetëra marrëveshjet e arritura mbeten pa u zbatuar.
Kosova e konsideron Serbinë kërcënim për sigurinë e saj, Serbia e sheh si të tillë Qeverinë e Kosovës për serbët në Kosovë.
BE-ja ua ka kushtëzuar të dyja vendeve përparimin drejt anëtarësimit në këtë bllok me normalizimin e marrëdhënieve.