Antikorrupsioni ‘detyron’ drejtorin e Klinikës së Radiologjisë të jap dorëheqje nga dy pozita

Bujar Gjikolli, drejtor i Klinikës së Radiologjisë, është hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, pasi që për të ka pranuar informatën se ai ushtron edhe tri pozita të tjera, si Dekan i Fakultetit të Radiologjisë në kolegjin AAB, Drejtor Mjekësor në Spitalin Privat Sante Plus dhe përfaqësues i autorizuar në Organizatën Jo-qeveritare Fondacioni Kosova Open Medical Club-KOMC.

Pas shqyrtimit të informatës, Antikorrpsioni me datën dy shtator të këtij viti ka marrë vendim për mbylljen e rastit sepse sipas tyre është shmangur konflikti i interesit.

“Mbyllet rasti me nr.AKK-BPKI-06-10/1014/19, për zyrtarin Bujar Gjikolli, Drejtor i Klinikës së Radiologjisë-Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, për shkak se është shmangur gjendja e papajtueshmërisë dhe konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Agjencia ka njoftuar drejtorin Gjikolli për ‘konfliktin’ që përbën me mbajtën e dy pozitave drejtuese.

“Gjatë ushtrimit të funksionit publik në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk mund të ushtroj njëkohësisht edhe funksionin drejtues- Dekan në Fakultetin e Radiologjisë në Kolegjin AAB sepse është e ndaluar me nenin 13 të Ligjit NR.06/L-011, tek papajtueshmëria më ushtrimin në funksionit publik”, thuhet në arsyetimin e AKK.

Tutje në njoftim AKK sqaron se drejtori Gjikolli është pajtuar me konstatimin e Agjencisë dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e Dekanit në Fakultetin e Radiologjisë në Kolegjin AAB dhe nga funksioni në Organizatën Jo-qeveritare Fondacioni Kosova Open Medical Club-KOMC.

“Agjencia ka pranuar shkresat zyrtare me të cilat dëshmohet se zyrtari i lartë ka dhënë dorëheqje nga funksioni i Dekanit të Fakultetit të Radiologjisë në Kolegjin AAB, dhe nga funksioni i përfaqësuesit të autorizuar në OJQ-në KOMC”, thuhet në arsyetimin e Antikorrupsionit.

Agjencia në arsyetimin për mbylljen e rastit të Bujar Gjikollit ka thënë që pretendimi se Gjikolli ka pozitën e drejtorit mjekësor në spitalin Sante Plus nuk ka qenë i vërtetë.

“Sa i përket pretendimit se zyrtari i lartë, z.Gjikolli, ushtron pozitën e drejtorit mjekësor pranë spitalit privat Sante Plus, AKK pas shkresës zyrtare që ka pranuar nga spitali në fjalë ka konstatuar se z.Bujar Gjikolli nuk ushtron asnjë funksion pranë këtij spital”, thuhet tutje në arsyetim.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin Gjikolli për të marrë një prononcim nga ai për këtë vendim të Antikorrupsionit, me ç’rast ka thënë që ka respektuar rekomandimet e Agjencisë.

“Nga momenti kur kam marrë postin e drejtorit, jam lajmëruar në Agjencionin Antikorrupsion për t`u interesuar nëse ka konflikt interesi dhe respektuar rekomandimet e tyre për ta parandaluar atë”, ka thënë ai.