Foto: Kallxo.com

Akuzohen se nuk morën masa ndaj kafeterisë në pandemi, inspektorët nga Kamenica dalin në gjyq

Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila i ngarkon ata me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit, të cilët me profesion janë inspektorë komunalë në Kamenicë, deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë lidhur me atë që i ngarkon Prokuroria e Gjilanit.

“Nuk e pranoj fajësinë pasi nuk e kam bërë atë vepër me të cilën më ngarkon Prokuroria. Ne e kemi kryer punën tonë bashkë me policinë dhe në kafiteri ju kemi thënë qe t’i largojnë tavolinat njëra nga tjetra”, tha shkurt i akuzuari Enver Ismajli.

Sikurse i akuzuari Ismajli edhe të akuzuarit Naser Vllasi dhe Dobrivoje Millkoviq deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë pasi siç thanë i kanë kryer detyrat e tyre dhe se policia ka ndërhyrë në punën e tyre.

Tutje në seancë, Prokurori Shaban Spahiu kërkoi nga Gjykata që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor pasi, siç tha ai, do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve. Kurse mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se deri në fund të këtij shqyrtimi do të vërtetohet se të akuzuarit nuk e kanë kryer vepren penale me të cilën akuzohen.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 18 gusht si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Aktakuza sqaron se të akuzuarit edhe pse kanë qenë të njoftuar nga ana e policisë së Kosovës, se në lokalin-kafiterinë “Intime” nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë “Covid 19”, me ç’rast nuk është mbajtur distanca sociale dhe në të kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar te lokali në fjalë por nuk kanë marrë asnjë veprim me arsyen kinse gjithçka në atë lokal është në rregull, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Seanca e sotme u shty për t’u dhënë mundësi ligjore të akuzuarve për të bërë kundërshtimin e aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje