Akuza për mashtrim në prokurim, mbrojtja thotë se marrëveshja me prokurorinë është e paligjshme

I akuzuari nga Prokuroria për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim në tender në komunën e Drenasit, Liman Buzoku është ulur sot në bankën e të akuzuarit.

Në këtë seancë ai nuk pranoi fajësinë për akuzën që i vihet në barrë  ashtu siç e kishte pranuar më herët sipas marrëveshjes me prokurorinë.

Në seancën e sotme, avokati Besnik Berisha u shpreh se kjo marrëveshje e arritur në dhjetor të vitit 2021 nuk është e lidhur në mënyrë të vullnetshme e as të ligjshme.

“Unë kam kontaktuar me klientin tij dhe pasi që e kam kuptuar se kush janë pretendimet ndaj tij atëherë e kam njoftuar edhe prokurorin e çështjes se klienti im nuk ka kryer asnjë krim”, tha Berisha.

Ai u shpreh se do të japë përkushtimin maksimal për të zbardhë të vërtetën në këtë gjykim, kurse epilogu varet nga gjykata.

Sipas aktit akuzues të ngritur në dhjetorit të vitit 2021, i pandehuri me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit duke paraqitur dokumentacion të rremë me qëllim mashtrimi në procedurat e prokurimit publik.

Tutje, qëllimi ka qenë sipas prokurorisë të ndikojë në vendimin e autoritetit kontraktues në pozitën e drejtorit të kompanisë “MATKOS PHARM” ka ofruar dokumentacione të falsifikuara.

Nga dokumentet e falsifikuara kjo kompani ishte shpërblyer me kontratë në vlerë mbi 68 mijë euro, përshkruhet në aktakuzë.

Gjatë kohës së ankesave, rrjeti i OJQ-ve kishte paraqitur ankesë lidhur me këtë aktivitet prokurorimi në komunën e Drenasit ku kishte njoftuar se kjo kompani dyshohet se kishte paraqitur dokumente të falsifikuara.

Këto dokumente ishin verifikuar dhe kishin rezultuar se janë falsifikuar ku edhe është bërë anulimi i tenderit.

I pandehuri në këtë rast dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim nga neni 415 i Kodit.

I akuzuari u njoftua me të drejtat e tij në procedurë nga gjykatësi i çështjes Gëzim Ademi, i cili njoftoi edhe palën mbrojtëse që të paraqesë kundërshtimin e aktit akuzues ose provave në afat ligjor të paracaktuar.