Foto: Atdhe Mulla

Aktakuzë ndaj drejtorit dhe u.d. drejtorit për Ekonomi dhe Financa në Prizren

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit për Ekonomi dhe Financa dhe ushtruesit të detyrës të drejtorit për Ekonomi dhe Financa në Prizren për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vitet 2015 dhe 2016.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Z.A., në periudhën janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, në cilësinë e u.d. drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdor pasurinë publike.

Kjo me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për persona tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj.

Në atë mënyrë që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, ka lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit, me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, ashtu që për tri televizionet këto kontrata kanë arritur shumën prej 11.800 euro në vit.

Ndërsa, i akuzuari i dytë, E.S., në periudhën janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdor pasurinë publike me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për persona tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni.

Kjo duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, ka lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionin publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit.

I njëjti ka lidhur kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, ashtu që për tri televizionet kontratat kanë arritur shumën prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Z.A., dhe E.S. kanë përmbushur elementet e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.