Lekaj: Propaganda e Serbisë nuk ka të ndalur në të gjitha drejtimet

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka reaguar ndaj Autoritetit të Aviacionit Civil të Serbisë, pasi sipas tij, ka dhënë informata të pavërteta për Aeroportin Ndërkombëtar, “Adem Jashari”.

“Me qëllimin më të keq, për dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës, iu jep informata të pavërteta aviokompanive të ndryshme se kinse, Aeroporti Ndërkombëtar, “Adem Jashari” është i mbyllur që nga viti 1999. Kjo jo vetëm që është qesharake por për më tepër, është një tregues se sa shumë është në gjendje t’a rrezikoj jetën e qytetarëve të vendeve të ndryshme si pasojë e keqinformimit të aeroplanëve nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Serbisë, apo siç është rasti më eklatant dhe më jo human, që nuk i është dhënë leje për aterrim emergjent aeroplanit, në të cilin ka qenë një grua shtatzënë, ky mjerisht nuk është rasti i vetëm kur Serbia ka vepruar kështu”, është thënë në reagimin e Lekajt.

Sipas tij, aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, jo vetëm që nuk është i mbyllur por këtë vit edhe ka pranuar mbi 2 milionë udhëtarë të vendeve të ndryshme që kanë ardhur në Kosovë, ose kanë shkuar nga Kosova duke e shfrytëzuar ketë Aeroport.

“Ajo që kërkojmë nga Autoritetet Evropiane të Aviacionit Civil është që t’i reagojnë shtetit të Serbisë dhe e njëjta, njëherë e përgjithmonë, t’a ndal këtë propagandë e cila jo vetëm që nuk përkon me të qenurit korrekt në relacionet Kosovë – Serbi por mund të rrezikoj seriozisht jetën e pasagjerëve që udhëtojnë me aviokompani të ndryshme”, thuhet në reagim.

Lekaj po ashtu i ka bërë me dije Serbisë dhe të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, “se nëse ndodh diçka e keqe në këtë drejtim, tërë përgjegjësia do të bjerë mbi ketë shtet i cili përmes institucioneve të tij dezinformon me qëllimin më të keq të mundshëm”.

06 Dhjetor 2018 - 19:45

Arbisa Shefkiu 06/12/2018 - 19:45
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend