Ilustrim

Eci mbi krahët e aeroplanit, arrestohet një person në Çikago

Një pasagjer i kompanisë së fluturimeve United Airlines, u arrestua mëngjesin e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar O’Hare të Çikagos, pasi kishte hapur derën e emergjencës dhe kishte ecur në krahun aeroplanit. E gjithë kjo ndodhi teksa aeroplani ishte duke u ulur, raporton CNN.

“Një burrë ishte në bordin e një aeroplani që po i afrohej vendit ku do të ndalej. Ai kishte tërhequr derën e urgjencës dhe kishte dalë në krahun e aeroplanit” thuhet në një njoftim nga Departamenti i Policisë së Çikagos.

Tutje në raport është bërë e ditur se burri kishte rrëshqitur nga krahu i aeroplanit për të përfunduar më pas në pistën e aeroportit.

Sipas kompanisë United Airlines, ekuipazhi e ka ndaluar personin jashtë aeroplanit. Kur aeroplani u ndal, të gjithë pasagjerët ishin larguar në mënyrë të sigurt, thuhet në një deklaratë nga linja ajrore.

Policia ka njoftuar se personi është dërguar në paraburgim.