Alarmi i rremë për bombë bllokoi për disa orë Aeroportin ‘Adem Jashari’

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese për mjete shpërthyese në hapësirat e tij.

Zyrtarë të Aeroporti thanë se menjëherë  pas marrjes së informacionit për bombë, njësitë përkatëse të Aeroportit kanë intervenuar duke larguar gjithë pasagjerët jashtë objektit.

Për më shumë se tri orë udhëtarët janë detyruar që të presin në parkingun e Aeroportit, derisa janë lejuar të rikthehen pasi rezultoi se alarmi për mjet shpërthyes është i rremë.

Valentina Gara, zëdhënëse e AN “Adem Jashari”, tha para gazetarëve se informacioni për bombë rezultoi i rremë.  Ajo tha se për shkak të alarmit dy aterrime u bënë në Shkup, ndërsa 4 fluturime u shtynë disa orë.

“Sot kemi pranuar një informacion përmes emailit zyrtar për alarm, për bombë në hapësirat Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe sipas planit emergjent të Aeroportit, menjëherë janë lajmëruar ekipet përkatëse emergjente të cilat reagojnë në situata të tilla dhe përfundimisht, ky alarm ka rezultuar të jetë alarm i rremë” – tha ajo.

Alarmi për bombë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se pas kontrolleve të bëra ka rezultuar se nuk ka ndonjë mjet shpërthyes, dhe se kanosja me mjete shpërthyese ka qenë një alarm i rremë me qëllime të caktuara.

Alarmi i rremë shqetësoi qytetarët që prisnin të udhëtojnë nga ky Aeroport.

“Pesëmbëdhjetë minuta para se të hipnim në aeroplan na thanë me dalë jashtë. Për fillim u çuditëm (shqetësuam) pak, por gjithçka shkoi mirë dhe për dy orë jemi jashtë duke pritë, s’kemi informata të sakta. Për ata që kanë me ia nisë punës, këto vonesat u prishin punë”- tha Qendrim Sadiku.

“Po, frikë pak ke, po kur thanë puna e bombës u tutëm pak, po çka me ba, vonesa na prish pak punë” -tha Gjyle Fejza.

“Kjo është e tmerrshme, është e turpshme  me ndodhë kjo kështu. Po me vjen keq shumë, shpresoj që tash lirohet, edhe djali na u lajmërua i shqetësuar se ka dëgjuar prej mediave, uroj se nuk do të ndodhë me e keqja”- tha Isuf Ismajli.

Alarmi për bombë krijoi tollovi në Aeroport dhe rrugën që shpie atje.

Pamje nga AN ‘Adem Jashari’, pas alarmit për bombë. Foto: KALLXO.com.

Pamje nga AN ‘Adem Jashari’, pas alarmit për bombë. Foto: KALLXO.com.