Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

LDK propozon rezolutë për ndalimin e punës së kazinove dhe lojërave të fatit për 10 vjet

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nga lojërat e fatit po dëmtohen, dhunohen, e vriten qytetarët pasi këto raste sipas tij nuk janë të izoluara.

Hoti kërkoi që në seancë mos të ketë debat parlamentar për hir të ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur këtë periudhë dhe të votohet vetëm rezoluta.

Hoti propozoi dy pika të rezolutës:

  1. Qeveria menjëherë të pezulloj aktivitetin e gjitha llojeve të kazinove dhe lojërave të fatit deri në plotësim ndryshimin e ligjit përkatës dhe
  2. Kuvendi të mandatoj komisionin parlamentar për buxhet dhe financa të nis procedurat menjëherë për nxjerrjen e ligjit dhe brenda një muaji të sjell ligjin e ri në kuvend i cili i ndalon të gjitha llojet e kazinove dhe lojërat e fatit për një periudhë 10 vjeçare.

Sipas Hotit ‘këto nuk janë lojëra të fatit po lojëra të zhvatjes së qytetarëve’.

“Sot sipas të dhënave publike të doganës në Kosovë funksionojnë 1 mijë e 645 aparate të licencuara të lojërave të fatit. Për ilustrim në Kosovë ka 1 mijë e 469 vendbanime që i bie së paku një aparat i lojërave të fatit për çdo vendbanim në Kosovë. Në Kosovë funksionojnë 294 bastarë të licencuara. 185 raste të shqiptimit të gjobave për bastore të pa licencuara. ATK ka mbyllur 301 lokale, ka shqiptuar 700 gjoba. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se ky sektor në masën më të madhe është duke funksionuar jashtë ligjit”, tha Hoti.

Sipas tij të hyrat doganore gjatë vitit 2018 nga licencat e lojërave të fatit kanë qenë 16 milion euro.

Hoti tha se me 11 dhjetor 2018 qeveria e ka miratuar koncept dokumentin për lojëra të fatit ku  parashihet promovimi i këtij sektori si mundësi për zhvillim ekonomik të ardhura dhe punësim si deh rritje të buxhetit të shtetit.

“Por ajo që dihet për këto biznese është se plot familje në Kosovë kanë humbur gjithçka. Janë raportu vetëvrasje si rezultat i lojërave të fatit”, tha Hoti.