Ilustrim

Zyrtari zgjodhi vetën kryesues të komisionit në tenderet e MAShTI-t

Zyrtari që kishte përgatitur procedurat për aplikimin të tenderëve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ishte zgjedhur kryesues i komisionit të negocimit dhe në rastin tjetër kishte marrë pjesë në komisionin për vlerësimin e ofertave.

“Gjatë testimit të procedurave të tenderimit për projektet: ”Ndërtimi i sallës së sportit në Vushtrri’’ me vlerë 237,496€, “Renovimi i nyjave sanitare për konviktet 2” në vlerë 167,823€ dhe “Renovimi i nyjave sanitare për konviktin nr.4” në vlerë 157,714€, si dhe “Furnizim me Pajisje Laboratorike për Arsimin Parauniversitar” në vlerë 1,100,000€, zyrtari që kishte përgatitur specifikimet dhe termat e referencave kishte marrë pjesë edhe në komisionin për vlerësim të ofertave”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Po ashtu, në procesin e prokurimit për “Furnizim me libra për vitin shkollor 2020/2021” është vërejtur se zyrtari i cili kishte iniciuar procedurën e prokurimit, ishte përzgjedhur si kryesues i komisionit te negocimit.

ZKA, ka konkluduar se kjo ka mundur të ndodh për shkak të mungesës së njohurive, dhe gjithashtu ka bërë të ditur se “Kontrollet jo efektive kanë mundësuar përfshirjen e zyrtarëve të njëjtë në dy faza të procesit e që kjo është në kundërshtim me parimet e ndarjes së detyrave si konflikt interesi dhe mund të ndikojë edhe në procesin e vlerësimit duke e përzgjedhur operatorin fitues në mënyrë jo objektive”.

Në anën tjetër MASHTI është pajtuar me rekomandimet e ZKA-së.