Zyra e Presidentit lidhi aneks kontratë me vlerë 100% të çmimit fillestar të kontratës

Zyra e Presidentit të Kosovës, gjatë vitit 2020 kishte lidhur aneks kontratë (kontratë shtesë) me vlerë 100 % të çmimit fillestar të kontratës së parë, e që nuk do të duhej të ishte më shumë se 10 % e vlerës së kontratës.

Kjo është bërë e ditur në raportin e Auditimit për vitin 2020 nga ZKA, në të cilin është theksuar se Zyra e Presidentit fillimisht kishte lidhur kontratë për “Shërbime të sigurimit të automjeteve”, në vlerë 8,356€, prej datës 24.05.2019 deri më datën 23.05.2020.

Por, pastaj, me datën 20.07.2020 është nënshkruar aneks kontratë me vlerë 8,356€ me të njëjtin Operator Ekonomik, e që i bie se aneks kontrata kishte 100% të vlerës së çmimit fillestar të kontratës.

Sipas Auditorit, nënshkrimi i aneks kontratës në vlerën 100% pa zhvillim të procedurave, ka ndodhur për arsye se para përfundimit të kontratës bazë, procedura e hapur e prokurimit e shpallur me datën 09.07.2020 ishte anuluar për shkak të mungesës së ofertave dhe nuk është vazhduar prapë me ritenderim, si dhe për arsye që të mos ngecin në ofrimin e shërbimeve të transportit për kabinetin dhe administratën e ZPRK.

ZKA ka theksuar se bazuar në nenin 61.25 asnjë ndryshim kontrate nuk do ta shtojë çmimin total të kontratës me më shumë se 10 % të çmimit fillestar të kontratës me aprovim nga Zyrtari Kryesor Administrativ.

“Nënshkrimi i aneks kontratës me vlerë më të lartë se ajo e lejuar, duke mos zbatuar procedurat e prokurimit, ndikon në zvogëlimin e konkurrencës dhe rrit rrezikun e pagesës së shërbimeve më të shtrenjta sesa çmimet aktuale të tregut”, është thënë më tej.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që sekretari i Përgjithshëm duhet të siguroj që nënshkrimi i aneks kontratës nuk duhet të nënshkruhet më shumë së 10 % e vlerës së kontratës, në të kundërtën duhet të bëhet përmes procesit të rregullt dhe transparent të prokurimit.