ZKA: Ministria e Mjedisit pagoi 62 punëtorë të nacionalitetit serb pa u paraqitur fare në punë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), përgjatë vitit 2023 ka paguar 398 mijë e 164 euro, për 62 punëtorë të nacionalitetit serb të cilët nuk kanë dalë fare në punë.

Në raportin për vitin 2023, ZKA thotë se kjo ministri ende nuk e ka rregulluar çështjen e këtyre punëtorëve.

“Ndonëse kjo situatë po përsëritet, ministria ende nuk ka arritur që të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2023 ishte 398 mijë e 164 euro” – thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori thekson se sistemimi i këtyre punëtorëve në hapësira të përcaktuara të punës është çështje është mjaft sfiduese për ministrinë, për faktin që nuk kanë objektiva të përcaktuara të punës.

Rekomandimi i ZKA-së për MMPHI-në në këtë rast ka qenë që ministri duhet të analizoj situatën e krijuar, duke siguruar se janë vlerësuar të gjitha mundësitë “për gjetjen e një zgjidhjeje dhe të ndërmerren veprime të cilat janë në përputhje me kërkesat ligjore”.

Përgjigja e MMPHI-së ka qenë që pajtohen me këtë të gjetur të ZKA-së.

Raportin e plotë për MMPHI-në mund ta gjeni KËTU.