Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Ministria e Infrastrukturës kishte ndryshuar një kontratë pasi kishte skaduar ajo

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në kontratën për ‘Mirëmbajtjen verore dhe dimërore 2021-2022 të rrugëve nacionale dhe rajonale, regjioni Mitrovica LOT2’, kishte ndryshuar pozicione të kësaj kontrate, pasi kishte përfunduar ajo.

Në Raportin e Auditimit për vitin 2022 për këtë ministri, thuhet se kjo kontratë e ka pasur vlerën 574 mijë e 15 euro, aneks kontrata ka qenë 54 mijë e 634 euro, ndërsa si kontratë kishte skaduar me 15 korrik 2022.

Ndërsa pas skadimit të saj, me 16 gusht 2022 ministria me operatorin e njëjtë ekonomik kishte aprovuar një urdhër-varacion, duke ndryshuar termat dhe kushtet e kontratës.

Sipas ZKA-së, ndryshimi kishte të bënte me zgjatjen e afatit të kontratës për 30 ditë, si dhe zëvendësimin e 34 pozicioneve të pashfrytëzuara nga kontrata fillestare në vlerë prej 97 mijë e 972 euro me 9 pozicione të reja të cilat nuk kishin të bëjnë fare me shërbimin e njëjtë, por që kishte të bënte me zgjerimin e rrugës për një shirit qarkullimi.

“Për këto pozicione nuk ka pasur çmime të përcaktuara në kontratën fillestare. Ministria ka vepruar në mos-përputhje me nenin 35.3 të LPP-së duke mosaplikuar procedurën e duhur për kryerjen e punës. Vlera e realizuar për zgjerimin e rrugës ishte 96,409 euro” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.

Sipas Auditorit, realizimi dhe pranimi i punëve pa procedurën e duhur të ndryshimit të kontratës mund të shkaktojë shpenzime më të larta se çmimi përkatës i tregut dhe kualitet jo të mirë të punës.

Ndërsa rekomandimi i ZKA-së për ministrinë është se duhet të siguroj se çdo shpenzim të jetë i mbështetur në kontratën përkatëse, si dhe po ashtu të sigurojë që zhvillohen procedurat e duhura të prokurimit.

Me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ministria është pajtuar.

Ndërsa në krahasim me vitin paraprak, nga 25 rekomandime kryesore që i ishin bërë Ministrisë, sipas ZKA-së, shtatë prej tyre ishin zbatuar, një rekomandim më nuk ishte i aplikueshëm dhe tre ishin zbatuar pjesërisht. Ndërsa 14 rekomandime të tjera nuk ishin zbatuar.

Raportin e plotë të auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2022 mund ta gjeni KËTU.