Komuna e Vushtrrise

ZKA: Komuna e Vushtrrisë pagoi për projekte që nuk u realizuan

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë kishte paguar mbi 13 mijë euro punë të pakryera në projektin për “Rregullimin e shtratit të lumit Sitnica” .

Sipas ZKA-së, komuna ka paguar për furnizim, mbjellje dhe transport të dy llojeve të drunjëve dhe ka paguar edhe për montim të ulëseve, por që asnjëra nuk është realizuar.

Auditori ka gjetur se edhe në projekte të tjera Komuna e Vushtrrisë kishte vepruar njëjtë.

Kjo komunë në projektin për “ndërtimin dhe rregullimin e parqeve dhe shesheve në 6 fshatra” kishte paguar 968 euro për “rrethoja”, “mbjellje të drunjëve” dhe “ulëse” por që këto pozicione nuk ishin realizuar.

Komuna e Vushtrrisë kishte paguar 20 mijë euro për montimin e një pajisje në palestrën “Jeton Tërstena”. Sipas ZKA-së kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës dhe pakujdesisë nga ana e menaxherëve të kontratave.

Andaj, ZKA ka rekomanduar kryetarin e komunës që të sigurojë se menaxherët e kontratave dhe mbikëqyrësit e tyre që të mos aprovojnë situacione të punëve të pakryera si dhe mjetet e paguara për punët e pakryera të kthehen në buxhetin e komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Vushtrrisë për vitin 2022.