Zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore, reagon Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pasi në mëngjesin e sotëm në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikësve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë” – thuhet në postimin e ministrisë së udhëhequr nga Albulena Haxhiu.

KALLXO.com ka raportuar se dy zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Sipas saj, nuk raportohet për persona të lënduar.

Nga vendi i ngjarjes, zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra ka thënë se informatën e kanë marrë rreth orës 07:56 dhe menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë lokalizuar zjarrin.

Ai tha se sipas informacioneve që posedon deri më tani, e përfshirë nga zjarri është një zyrë e cila ka qenë e ndarë në dy pjesë.

“Rreth orës 07:56 minuta Brigada e Zjarrfikësve ka pranu një lajm që objekti i IML-së është përfshi nga zjarri dhe menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes kanë intervenu. Për një kohë të shkurt kanë fut zjarrin në kontroll, tash puna është duke vazhdu deri në përfundimin e zjarrit. Sipas informatave, të lënduar nuk ka, dëme materiale ka, është e përfshirë një zyrë e cila ka qenë e ndarë në dysh”- ka thënë ai.