Aleksandar Vuçiq

Zhvillimet në Banjskë, raportohet se Vuçiq do të mbajë konferencë për media

Pas vrasjes së policit të Kosovës në Banjskë të Zveçanit, agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” ka njoftuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të mbajë konferencë për media pasditen e sotme.

Fillimisht ishte njoftuar për konferencë në ora 14:00 nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Kjo konferencë më pas është anuluar.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasdite do t’iu drejtohet mediave që t’i demantojë të gjitha gënjeshtrat e Albin Kurtit, për të cilin pretendojnë se është krijues i kaosit në Kosovë” – ka shkruar Tanjug.

Në njoftim nuk është përmendur ora se kur Vuçiq pritet t’i drejtohet mediave.

Policia e Kosovës ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe dyshohet se pjesëtarët e këtij grupi janë duke qëndruar në dhe rreth Manastirit të Banjskës.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos e një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se janë vrarë tre pjesëtarë të grupit të armatosur në Banjskë dhe një tjetër është arrestuar. Po ashtu, Policia ka njoftuar se ka arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar në Rudar që posedonin radiolidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë. Ai publikoi në konferencë për media edhe fotografi të grupit të armatosur brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës, automjetet pa targa, personat e uniformuar dhe të armatosur si dhe një autoblindë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi.

Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.