Foto: Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës

Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Ukraina zyrtare thotë se e ka rrëzuar një aeroplan spiun rus A-50 dhe një aeroplan komandues Il-22 në zonën e Detit Azov. Gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandanti i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës, ka thënë se “Forca ajrore e Ukrainës shkatërroi një aeroplan armik A-50 për zbulimin e radarëve me rreze të gjatë dhe një qendër kontrolli ajror armik IL-22. I jam mirënjohës forcave ajrore për operacionin e planifikuar dhe të ekzekutuar në mënyrë perfekte në rajonin e Detit Azov!”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka mbërritur në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos dhe për të takuar zyrtarët zviceranë. Të dielën, Ukraina vazhdoi me formulën e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare me Rusinë me një takim në Davos të këshilltarëve të sigurisë kombëtare nga e gjithë bota.

Kina duhet të përfshihet në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, ka thënë bashkë-kryetari i takimit të Davosit të Zvicrës, Ignazio Cassis.

Rusia po i mobilizon rreth 1000-1100 rekrutë në forcat e saj të armatosura çdo ditë, ka thënë në një intervistë për RBC-Ukraine, Vadym Skibitsky, nënkryetari i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR). Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar (MM) thotë se Rusia ka të ngjarë ta “fryejë ndjeshëm” numrin e njerëzve për të cilët thotë se janë bashkuar me forcat e armatosura të vendit, me rekrutë të rinj që janë tërhequr në mënyrë disproporcionale nga komunitetet e varfëra dhe rurale.

Kremlini zyrtar ka thënë se u ka dhënë më shumë se 200 të burgosurve ukrainas të luftës dënime afatgjata me burgim, me disa dënime të përjetshme, raportoi AFP. Gazeta shtetërore RT citoi një burim të komitetit hetimor duke thënë se 242 ushtarë janë dënuar në Ukrainën e pushtuar.

Një deklaratë e lëshuar nga Kremlini thotë se Rusia po zhvillon marrëdhënie me “partnerin tonë” Korenë e Veriut në të gjitha fushat dhe do të bazohet në marrëveshjet e arritura midis liderëve të vendeve kur ata u takuan në një qendër ruse të nisjes hapësinore në vitin 2023.

OKB-ja dhe partnerët e saj kanë bërë thirrje për 4.2 miliardë dollarë nga donatorët për t’i mbështetur komunitetet në Ukrainë të shkatërruara nga lufta, si dhe refugjatët ukrainas, në vitin 2024. Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths, u bëri thirrje diplomatëve në Gjenevë që të mos e harrojnë Ukrainën ndërsa ka shumë vende të tjera në botë që na tërheqin vëmendjen.

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të dërgojë 20,000 personel shërbimi në një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala