Zelenskiy dhe Biden do të takohen javën e ardhshme në Uashington

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy pritet të takohet me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington javën e ardhshme. Vizita e tij vjen ndërkohë që Kongresi po debaton për sigurimin e 21 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, teksa kjo e fundit po e lufton pushtimin rus. Zelenskiy pritet të jetë në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kuba nuk është kundër pjesëmarrjes legale të qytetarëve të saj në luftën e Rusisë në Ukrainë, njoftoi të enjten agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, duke e cituar të dërguarin kuban në Moskë. Javën e kaluar, autoritetet kubane thanë se kanë arrestuar 17 persona për një rrjet të trafikut njerëzor që dyshohet se i kishte joshur të rinjtë kubanë për të shërbyer në ushtrinë ruse.  

Vladimir Putin dhe Kim Jong-un i dhuruan njëri-tjetrit pushkë kur u takuan në Rusinë e largët lindore, thotë një njoftim nga Kremlini të enjten dhe konfirmon se lideri i izoluar rus do ta vizitojë Korenë e Veriut, megjithëse nuk janë zbuluar detaje të mëtejshme. Presidenti rus, i cili ka kërkuar t’i forcojë aleancat me liderë të tjerë të vijës së ashpër, u takua me Kim të mërkurën mes spekulimeve se ata do të dakordohen për një marrëveshje armësh për ta forcuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Rusia zyrtare ka thënë se po dëbon dy diplomatë amerikanë të akuzuar se kanë punuar me një shtetas rus, i cili akuzohet për bashkëpunim me një shtet të huaj. Shtetet e Bashkuara thanë se ky vendim ishte i paprovokuar dhe krejtësisht pa merita. Ndaras nga kjo, Sllovakia ka dëbuar një diplomat me bazë në ambasadën ruse, ka thënë ministria e jashtme sllovake në faqen e saj të internetit të enjten.  

Koreja e Jugut ka shprehur “shqetësim dhe keqardhje të thellë” për një takim mes udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili me sa duket u fokusua në zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak.

Alexander Lukashenko u largua nga Bjellorusia të enjten për një vizitë zyrtare në Rusi, sipas shërbimit të tij për shtyp. Bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, janë planifikuar për të premten.

Pamjet satelitore duket se tregojnë çmontimin e një baze të milicisë ëagner në juglindje të kryeqytetit të Bjellorusisë, Minsk. Pamjet e aktivitetit në javët e fundit i kanë shfaqur çadrat që po rrëzoheshin në bazën ushtarake Tsel në rajonin e Mogilev dhe mund të tregojnë mbylljen e pranisë së kompanisë mercenare ruse në vend pas një rebelimi të shkurtër brenda Rusisë.

Bullgaria vendosi të enjten të mos e zgjasë ndalimin e importeve të grurit ukrainas në pesë vende lindore të BE-së, të cilat do të skadojnë këtë javë, raportoi AFP. Ministria e Jashtme e Ukrainës thuhet se të ketë thënë se çdo vendim i shteteve evropiane për të zgjatur kufizimet e importit për ushqimin ukrainas nga 15 shtatori do të ishte i paligjshëm dhe do t’i dëmtonte interesat e përbashkëta ekonomike./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala