Zelanda e Re: Mjeti kirurgjik sa një pjatë iu la në bark një gruaje për 18 muaj

Një pajisje “me madhësinë e një pjate ushqimi” është lënë në barkun e një gruaje në Zelandën e Re pasi ajo lindi me prerje cezariane në një spital të Auckland.

Alexis – një instrument i butë tubal i përdorur për t’i mbajtur plagët e hapura kirurgjikale – u hoq vetëm 18 muaj pas lindjes.

Gjatë kësaj kohe, gruaja duroi dhimbje të forta dhe bëri disa udhëtime me mjekun përpara se mjeti të zbulohej përmes një skanimi CT.

Fillimisht, autoritetet shëndetësore të qarkut ‘Te Whatu Ora’ Auckland kishin argumentuar se ata nuk kishin dështuar në kujdes.

Por Komisioneri i Shëndetit dhe Aftësisë së Kufizuar i Zelandës së Re nuk u pajtua me gjetjet e publikuara të hënën.

‘Alexis’ është një objekt i madh i bërë nga plastika transparente e fiksuar në dy unaza. Zakonisht hiqet pas mbylljes së prerjes së mitrës në një operacion me prerje cezariane dhe para se të qepet lëkura.

Ai nuk mund të zbulohej në skanimet me rreze X.

Ekipi në Spitalin e Qytetit të Auckland që kishte marrë pjesë në operacion tek gruaja kishte zëvendësuar tërheqësin e parë të plagëve Alexis që përdorën me një më të madh. Ishte ky tërheqës i dytë që mbeti në barkun e gruas.

Komisioneri vuri në dukje se ishte hera e dytë në dy vjet që një pajisje ishte lënë në një pacient të spitalit të Auckland.

Gruaja, në të 20-at e saj, vizitoi mjekun e saj të përgjithshëm disa herë në 18 muajt pasi lindi në vitin 2020 – dhe madje shkoi në departamentin e urgjencës së spitalit në një rast për shkak të dhimbjes. 

Pas këtij incidenti, bordi i spitalit ka thënë se do ta bëjë të obligueshme që i gjithë personeli kirurgjik t’i përmbahet “politikës së numërimit”, i cili supozohet të sigurojë që stafi i përfshirë në operacione të llogarisë të gjitha mjetet e përdorura gjatë çdo procedure./BBC