Zelanda e Re vendos ndalim të përjetshëm për të rinjtë që të blejnë cigare

Zelanda e Re e ka miratuar të martën në ligj, një plan unik për të hequr dorë nga duhanpirja duke vendosur një ndalim të përjetshëm për të rinjtë që blejnë cigare.

Ligji thotë se duhani nuk mund t’i shitet askujt që ka lindur në apo pas datës 1 janar të vitit 2009.

Kjo do të thotë se mosha minimale për të blerë cigare do të vazhdojë të rritet në mënyrë graduale. Teorikisht, dikush që përpiqet ta blejë një paketë cigare pas 50 vjetësh do t’i duhet një dokument identifikimi për të treguar se është të paktën 63 vjeç.

Mirëpo autoritetet shëndetësore shpresojnë se duhanpirja do të zhduket shumë më herët. Ata kanë një qëllim të deklaruar për ta bërë Zelandën e Re të lirë nga duhani deri në vitin 2025.

Ligji i ri e redukton gjithashtu numrin e shitësve me pakicë të lejuar të shesin duhan nga rreth 6,000 në 600 dhe ul sasinë e nikotinës së lejuar në duhanin që pihet.

Ligjvënësit votuan sipas linjave partiake në miratimin e legjislacionit 76 me 43 në favor të ligjit të lartcekur.

Statistikat e Zelandës së Re raportuan muajin e kaluar se 8% e të rriturve në Zelandën e Re pinin duhan çdo ditë, nga 16% sa pinin dhjetë vjet më parë.  

Normat e duhanpirjes mbeten më të larta në mesin e indigjenëve Maori, me rreth 20% që raportojnë se pinë duhan.

Zelanda e Re tashmë i kufizon shitjet e cigareve për ata të moshës 18 vjeç e lart, kërkon që pakot e duhanit të vijnë me paralajmërime grafike për shëndetin dhe cigaret të shiten në pako të standardizuara.

Zelanda e Re në vitet e fundit vendosi gjithashtu një sërë rritjesh të mëdha taksash për cigaret./The Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala