Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka

Zëdhënësi i LVV-së komenton raportimet e mediave sllovene për ambasadorin Berishaj, e lidh me zgjedhjet atje

Zëdhënësi i  Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka komentuar raportimet e mediave sllovene lidhur me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin dyshohet se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Manxhuka në reagimin e tij thotë që për shkak se ka jetuar një kohë në Slloveni, ndjek zhvillimet në këtë shtet.

Sipas Manxhukës “asnjë medium serioz në Slloveni nuk e cituar publikimin e storjes ku përfshihet edhe Ambasadori Berishaj.

Ai ka bërë lidhje të këtij raportimi me garën politike në Slloveni.

“Aktualisht gara kryesore po zhvillohet mes subjektit të ri ‘Lëvizja për Liri’ të Robert Golob dhe kryeministrit aktual Janez Jansha. Aktualisht në të gjitha matjet prin Golob, madje me këtë lidhet i gjithë sikleti i kinse aferës. Një fakt edhe më interesant bëhet që pothuajse asnjë medium serioz nuk e ka cituar publikimin e asaj ‘afere’ pos TV Planet me pronar hungarez, për të cilin në Slloveni flitet për afërsinë e tij me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban”, ka shkruar Manxhuka.

Tutje, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kujtuar kohën kur një medium slloven kishte nxjerrë një dokument të idesë që sipas Manxhukës, parashihej ndarja e Kosovës , duke shtuar se “aty theksohej iniciativa e Janshës në këtë drejtim”.

“Mbajmë mend kur portali slloven ‘Necenzurirano’ nxori dokumentin e idesë së të ashtuquajturit ‘Shkëmbim Territorial’ apo ndarjes së Kosovës ku theksohej iniciativa e Janshës në këtë drejtim në ndihmë të liderëve e ish-liderëve të Kosovës e Serbisë”, ka shtuar Manxhuka.

Sipas zëdhënësit të LVV-së, GEN dhe GENEX janë dy kompani të ndryshme, nga dy shtete të ndryshme.

“Po ashtu, kompania GEN-I sllovene që ka përfaqësi në gjithë Evropën nuk ka asnjë lidhje me kompaninë serbe GENEX”, ka shkruar ai.

Të enjten, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje ka deklaruar se i beson deklaratave të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili i ka mohuar raportimet e mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

Sipas Osmanit, nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë “por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore”.