Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Osmani: Ne i besojmë ambasadorit Berishaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se i beson deklaratave të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili i ka mohuar raportimet e mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

Sipas Osmanit, nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë “por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore”.

“Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo të premten në Prishtinë.

Presidentja Osmani tha se i beson ambasdorit Berishaj i cili ka mohuar në vazhdimësi akuzat.

“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, tha ajo.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Ai ka paralajmëruar padi ndaj portalit që ka publikuar skandalin.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar ai në Facebook.

Dje, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluan si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.
Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Reagon ambasadori Berishaj pas raportimit të medias sllovene