Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Atmosfera e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Që nga mëngjesi i së mërkurës (24.04.2024) qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë dalë të votojnë për të zgjedhur presidentin e vendit.

KALLXO.com që po qëndron në disa nga qytetet e Maqedonisë së Veriut raporton se gjendja është e qetë, përderisa sipas informacioneve nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor deri në ora 11:00 në nivel vendi kanë votuar 12.78% të qytetarëve.

Në fotografitë e KALLXO.com shihen sesi qytetarët në Tetovë kanë dalë në pjesën e parë të ditës për ta shfrytëzuar të drejtën e votës. 

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Në garë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).

Ndërkaq nga opozita maqedonase nga VMRO DPMNE-ja kandidate për presidente është Gordana Siljanovska Davkovën.

Kurse nga partitët shqiptare janë dy kandidatë, Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i cili është ministër i tanishëm i Punëve të Jashtme dhe nga opozita shqiptare, koalicioni VLEN kanididon Arben Taravari i cili aktualisht është kryetar i komunës së Gostivarit.

Pëveç tyre kandidatë janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.