Zbulim: Shpenzimet prej 6 miliardë dollarësh të Arabisë Saudite për ‘shpërlarje sportive’

Arabia Saudite ka shpenzuar të paktën 6.3 miliardë dollarë në marrëveshje sportive që nga fillimi i vitit 2021, më shumë se katërfishi i shumës së mëparshme të shpenzuar gjatë një periudhe gjashtëvjeçare, në atë që kritikët e kanë etiketuar si një përpjekje për ta shpërqendruar trajtimin e saj në raport me të drejtat e njeriut.

Arabia Saudite ka shpërndarë miliarda nga Fondi i saj i Investimeve Publike, PIF, gjatë dy viteve e gjysmë të fundit sipas analizave të The Guardian, duke shpenzuar në sport në një shkallë që e ka ndryshuar plotësisht golfin profesional dhe ka transformuar tregun ndërkombëtar të transfertave për futbollin.

Të hënën, klubi i Arabisë Saudite, Al Hilal paraqiti një ofertë rekord botëror për kapitenin francez, Kylian Mbappé, që mendohet të jetë me vlerë 300 milionë euro.

Investimi prej 6.3 miliardë dollarësh është pothuajse i barabartë me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB-në) e Malit të Zi ose të ishullit Barbados. Ky investim i redukton të dhënat e përpiluara nga Grant Liberty dy vjet më parë, duke vlerësuar se Arabia Saudite shpenzoi 1.5 miliardë dollarë në periudhën midis vitit 2014 dhe fillimit të vitit 2021.

Grupet e të drejtave, duke përfshirë Grant Liberty, Amnesty International dhe Human Rights Watch, i quajnë shpenzime të tilla si ‘sportswashing’ (shpërlarje sportive) – financimi i ngjarjeve sportive të emrave të mëdhenj në mënyrë që ta heqë fokusin nga të dhëna të këqija  për të drejtat e njeriut.

“Më parë, figurat dhe markat sportive i kishin refuzuar ofertat për t’u angazhuar me Arabinë Saudite për shkak të abuzimeve të saj të dokumentuara mirë të të drejtave të njeriut”, thotë Grant Liberty. “Sidoqoftë, ka pasur një ndryshim shqetësues në qëndrimin moral, pasi marrëveshjet fitimprurëse tani po pranohen pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme dhe në përkeqësim”.

Pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, Arabia Saudite u anashkalua gjerësisht nga shumë korporata të mëdha të cilat i tërhoqën ose i ndaluan investimet në këtë vend.

Mirëpo, dy vitet e fundit kanë parë një ndryshim në mënyrën se si mbretëria konsiderohet ndërkombëtarisht. Presidenti amerikan Joe Biden, i cili dikur premtoi ta bënte Arabinë Saudite një “non grata” për vrasjen e Khashogit, pati një vizitë atje vitin e kaluar, duke përshëndetur princin e kurorës dhe udhëheqësin de-fakto, Mohammed bin Salman, me një prekje të diskutueshme me grusht.

The Guardian ka përpiluar dhe analizuar një listë të investimeve të bëra nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite – një nga 10 fondet më të mëdha të pasurisë sovrane në botë me asete të vlerësuara në 700 miliardë dollarë – si dhe organe të tjera shtetërore duke përfshirë autoritetin e turizmit, të gjitha të nënshkruara që nga viti 2021. Shifra totale prej 6.3 miliardë dollarësh është ndoshta një nënvlerësim i shumës së vërtetë, pasi PIF është jashtëzakonisht i paqartë në lidhje me financat e tij dhe detajet e disa marrëveshjeve nuk bëhen publike.

Blerja e Newcastle United në tetor të vitit 2021 nga PIF për 391 milionë dollarë tërhoqi shqetësime nga grupet e të drejtave, veçanërisht Amnesty International, e cila kritikoi klubin pasi imazhet e zbuluara treguan ndryshime në fanellat e klubit në lojërat si mysafir për t’i përputhur me ngjyrat e kombëtares saudite.

Felix Jakens nga Amnesty International thotë se kjo zgjedhje “ekspozon fuqinë e dollarit saudit dhe vendosmërinë e mbretërisë për t’i shpëlarë sportet e saj brutale, të ngopur me gjak për të drejtat e njeriut”.

Një vit më vonë, PIF e deklaroi synimin e saj për të shpenzuar 2.3 miliardë dollarë për sponsorizimet e futbollit. Kjo përfshin investime masive të papërcaktuara për të blerë shumicën e aksioneve në katër ekipe futbolli të Arabisë Saudite. Të katër klubet kanë shpenzuar shumë për të tërhequr lojtarë nga e gjithë bota, veçanërisht Al-Nassr, i cili nënshkroi me yllin e futbollit Cristiano Ronaldo për një shumë prej 200 milionë dollarësh në vit, duke e bërë atë sportistin më të paguar në botë.

Nënshkrimi i Ronaldos sezonin e kaluar është ndjekur nga një mori yjesh dhe trajnerësh duke përfshirë Karim Benzema nga Real Madrid, N’Golo Kanté nga Chelsea, Roberto Firmino nga Liverpool dhe ish-menaxheri i Aston Villas, Steven Gerrard.

Futbollisti Lionel Messi thuhet se paguhet rreth 25 milionë dollarë nga autoriteti i turizmit në Arabinë Saudite për promovimin e këtij vendi, duke përfshirë postimet për udhëtime luksoze në mediat sociale. Ai mori një ofertë nga Al Hilal prej 350 milionë funtesh, por në vend të kësaj zgjodhi ekipin e MLS të SHBA-së, Inter Miami.

Në shkurt të këtij viti, Arabia Saudite njoftoi se do të jetë nikoqir i Kupës së Botës për Klube FIFA 2023.

PIF ka bërë gjithashtu investime të mëdha duke e përmbysur golfin dhe tani e bëjnë Arabinë Saudite ndoshta forcën më me ndikim në këtë sport. Në tetor të vitit 2021, PIF investoi rreth 2 miliardë dollarë për të krijuar golfin LIV, një turne madhor.

Kjo lëvizje shkaktoi një rivalitet të ashpër me turneun PGA, i cili ndërmori veprime ligjore duke pretenduar se projekti i financuar nga Arabia Saudite po i josh lojtarët për t’i shkelur angazhimet e tyre ekzistuese. Një padi akuzoi Golfin LIV për një fushatë se po përdor “shuma astronomike parash … në një përpjekje për të përdorur lojtarët e LIV dhe lojën e golfit për ta shpëlarë historinë e fundit të mizorive saudite dhe për të çuar më tej iniciativat e Fondit të Investimeve Publike Saudite”.

Grindja përfundoi në mënyrë dramatike me një kontroll efektiv të PGA për të krijuar një konglomerat për ta dominuar golfin profesional. Guvernatori i PIF, Jasir al-Rumayyan, është planifikuar të jetë kryetar.

Një ekzekutiv i PGA i tha Kongresit Amerikan këtë muaj se fondi i pasurisë sovrane do të investojë “në veri prej 1 miliardë dollarësh” në organin e ri. Marrëveshja po hetohet nga një komitet i Senatit të SHBA.

Disa nga investimet e tjera të mbretërisë përfshijnë boksin dhe motorsportin. Këtë vit, boksieri i shndërruar në YouTuber, Jake Paul, u përball me Tommy Fury-n në Riad për pagesa prej 3.2 milionë dollarë dhe 2 milionë dollarë respektivisht, plus një pjesë të të ardhurave pay-per-view. Mbretëria Saudite gjithashtu pagoi rreth 60 milionë dollarë që të jetë nikoqir i një ndeshje të peshave të rënda midis Oleksandr Usyk dhe Anthony Joshua në vitin 2022.

Në vitin 2021, PIF investoi në një sponsorizim prej 550 milionë dollarësh të McLaren Group Ltd, një kompani në pronësi të Bahreinit me bazë në Woking, e cila është pjesë kryesore e Formula 1 përmes prodhimit të makinave për gara. Shifra prej 6.3 miliardë dollarësh, megjithatë, nuk përfshin 40-45 milionë dollarët që gjiganti shtetëror i naftës Aramco i shpenzon çdo vit për ta sponsorizuar Formula 1, ose kontrata të tjera të nënshkruara para vitit 2021, si 65 milionë dollarë për ta mbajtur një Grand Prix vjetor në këtë mbretëri.

Totali i investimeve gjithashtu i përjashton shpenzimet e shumta të PIF në botën e sporteve elektronike, duke përfshirë një investim të fundit prej 1 miliardë dollarësh në kompaninë e lojërave video Embracer Group dhe ngjarjet sportive ku shuma e sponsorizimit nuk dihet, siç është një marrëveshje katërvjeçare e marsit të vitit 2021 midis qytetit të planifikuar i Neom në bregun e Detit të Kuq dhe Konfederata e Futbollit Aziatik./The Guardian

* Sportswashing është një term që përdoret për ta përshkruar praktikën e individëve, grupeve, korporatave ose qeverive që përdorin sportet për të përmirësuar reputacionin e dëmtuar nga keqbërjet.

Përgatiti: Nuhi Shala