Ilustrim - Gaza

Arabia Saudite: Nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa u njohur shteti i pavarur i Palestinës

Arabia Saudite ka thënë se “nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike me Izraelin nëse nuk njihet shteti i pavarur palestinez”. Një deklaratë e ministrisë së jashtme saudite të mërkurën përsëriti “thirrjen e saj drejtuar anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk e kanë njohur ende shtetin palestinez, për të përshpejtuar njohjen e shtetit palestinez në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë kërkesat e Hamasit për një armëpushim në Gaza dhe u zotua të vazhdojë me ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza deri në arritjen e “fitores totale”.  

Hamasi ka paraqitur një plan të detajuar trefazor për t’u shpalosur gjatë katër muajve e gjysmë me vonesë të martën përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti, duke iu përgjigjur një propozimi të hartuar nga SHBA, Izraeli, Katari dhe Egjipti. Plani parashikon që të gjitha pengjet do të lirohen në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli, duke përfshirë militantë të lartë, dhe duke i dhënë fund luftës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se “shumë punë” mbetet për t’u bërë për ta tejkaluar hendekun midis Izraelit dhe Hamasit në kushtet e një armëpushimi të ri dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve. 

Të paktën 27,708 palestinezë janë vrarë dhe 67,147 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, sipas shifrave të fundit nga ministria e shëndetësisë e Gazës të mërkurën. Shifrat përfshijnë 123 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite dhe 169 të plagosur në 24 orët e fundit.

Ushtria izraelite ka thënë se ka zbuluar dhe shkatërruar një tunel të përdorur nga udhëheqës të lartë të Hamasit për të mbajtur pengje në qytetin kryesor të Gazës, Khan Younis. Forcat speciale izraelite zbuluan atë që ata thanë se ishte një “tunel strategjik nëntokësor” që shtrihej më shumë se një kilometër (pak më shumë se gjysmë milje) në një “sulm të synuar”. Qyteti ka qenë në qendër të bombardimeve intensive javët e fundit.

Human Rights Watch, HRW, u ka kërkuar donatorëve të BE-së që të rivendosin fondet për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) mes paralajmërimeve se ajo mund t’i ndërpresë operacionet në të gjithë Lindjen e Mesme deri në fund të muajit. Sipas HRW  ishte “e pandërgjegjshme” të shqyrtohej mbyllja e agjencisë së OKB-së në mes të një situate “dëshpëruese” humanitare në Gaza.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka quajtur sulmet e 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit “masakrën më të madhe antisemitike të shekullit tonë”, ndërsa udhëhoqi një ceremoni për nder të viktimave franceze. Ceremonia, ngjarja e parë përkujtimore ndërkombëtare jashtë Izraelit që nga sulmet e Hamasit katër muaj më parë, kujtoi 42 shtetasit francezë të vrarë në sulme dhe tre të tjerë të zhdukur ende, që besohet se mbahen peng./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala