Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Çelen dyert e Lindjes

Bota arabe ka hapur dyert për kosovarët, edhe pse jo krejtësisht.

Për tri ditë, dy lajme të mira për Kosovën ateruan nga dy shtetet e mëdha arabe; Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë hequr vizat për kosovarë. Edhe pse moti kanë njohur shtetësinë e vendit dhe janë vendosur marrëdhënie diplomatike, megjithatë lëvizja për në këto vende ishte e cunguar.

Presidentja Vjosa Osmani sot dha lajmin që Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohamed Bin Zayed ka pranuar propozimin që të largoj vizat për qytetarët e Kosovës. Dy ditë më parë, morëm lajmin nga zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti që është arritur marrëveshje reciproke mes Kosovës dhe Arabisë Saudite për heqjen e vizave diplomatike dhe zyrtare mes dy vendeve.

Këto dy vendime hapin rrugë që qytetarët e vendit dhe poseduesit e pasaportave zyrtare dhe diplomatike, përpos në zonën Schengen do kenë mundësinë të lëvizin lirshëm e mos të maltretohen për një vizë edhe për botën arabe, ndryshe nga ajo që ka ndodhur deri tani.

Edhe pse në prill të vitit të kaluar, Kosova kishte hequr vizat për qytetarët e Arabisë Saudite, i njëjti akoma e ka bërë të njëjtën lëvizje për mbajtësit e pasaportave të zakonshme të Kosovës.

Kosova që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ka pasur marrëdhënie të mira me këto dy shtete, gjë që është vërejtur edhe nga investimet e dy vendeve në Kosovë dhe takimet që janë mbajtur qoftë në Kosovë apo kryeqytetet e dy shteteve arabe.

Shteti i parë i botës arabe që ka njohur Pavarësinë e Kosovës janë Emiratet e Bashkuara Arabe, që kishte ardhur më 14 tetor 2008. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve janë vendosur më 27 prill 2010. Kosova hapi Ambasadën në EBA-s më 13 maj 2018. EBA përbëhet nga shtatë qytet-shtete të pavarura: Abu Dhabi, Dubai, Sharjah, Umm Al Qaiwain, Fujairah, Ajman dhe Ras Al Khaimah.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Arabisë Saudite është bërë në gusht 2009.

Kosova ka hapur ambasadën në Riad në mars 2010, ndërsa Arabia Saudite mbulon Kosovën nga Tirana.  Arabia Saudite njihet si vend që në malësitë e tij perëndimore, përgjatë Detit të Kuq, shtrihet Hejaz, i cili është djepi i Islamit dhe toka e vendeve më të shenjta të myslimanëve, Meka dhe Medina.

Kosova dhe bota arabe emëruesin e përbashkët kanë numrin e madh të myslimanëve, gjë që i përbashkon edhe në mënyrën e jetesës. Por çfarë bashkëpunimi ka Kosova me këto dy shtete që njihen si më të fuqishmet në botën arabe, dhe jo vetëm?

Nga ajo që kemi parë deri më tani Kosova dhe bota arabe kanë lidhje të mira për investime strategjike.

Emiratet e Bashkuara Arabe u bashkuan me misionin paqeruajtës të KFOR-it të NATO-s në vitin 1999 dhe ndërmorën një mision ndihmës që përfshinte ushqimin e mijëra refugjatëve që iknin në kufirin shqiptar.

Ndihma gjatë luftës në Kosovë ka bërë që në vitin 2021 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të inaugurohet Spitali i Fëmijëve “Sheikha Fatima”, donacion nga EBA. Spitali i cili ka kapacitet prej 100 shtretërve dhe kishte nisur të ndërtohet në mars të vitit 2016. Kostoja e këtij projekti ishte rreth 22 milionë euro.

Shtatë vite më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe financuan projektin për inaugurimin e renovimit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, i cili ishte ndërtuar në vitin 2003 falë donacioneve të EBA-s dhe Gjysmë Hënës së Kuqe të EBA-s. Kjo kishte ardhur si rezultat i një Memorandumi Mirëkuptimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, përfaqësuesit të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të nënshkruar më 26 nëntor 2001.

Dy vite më vonë, në vitin 2015, atëkohë presidente Atifete Jahjaga në Dubai ishte arritur Marrëveshja për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe EBA-s duke i hapur rrugë investimeve konkrete të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë.

Kjo marrëveshje hapi rrugët për të identifikuar plane dhe projekte konkrete për investime dhe se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të përfshijë, por nuk do të kufizohet, në fushën e tregtisë, industrisë, bujqësisë, transporteve, telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, duke përfshirë financimin e fushave të mësipërme.

Ndërkaq, në tetor të vitit të kaluar, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, kërkoi investime në energjinë e ripërtritshme në Kosovë në tetor 2023. EBA kanë rezervat e shtatë më të mëdha të naftës në botë dhe rezervat e shtatë më të mëdha të gazit natyror.

Gjatë këtij takimi bilateral nga Ministri i Shtetit të EBA-s, Ahmed Ali Al Sayegh, ata nënshkruan Protokollin e Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik.  Ky protokoll rrjedh në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së EBA.

Në vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për herë të dytë brenda vitit priti në takim ministrin e Investimeve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Khalid Al Falih. Qeveeria kishte njoftuar që të dy krerët folën për potencialin dhe mundësitë për thellimin e tyre, nëpërmjet bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

“Kontributi dhe roli i Arabisë Saudite për pavarësinë e vendit sikurse dhe ndihma socio-ekonomike dhe mbështetja e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi se Kosova dhe Arabia Saudite janë miq dhe partnerë me lidhje të shumta dhe të mira” – kishte thënë Kurti.

Kur u ngritën zërat për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2011 në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Arabia Saudite ishte rreshtuar përsëri në mbrojtje të Pavarësisë së Kosovës. GjND kishte konfirmuar se procesi i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Ndërkaq, për investimet e Arabisë Saudite që shihet si një shtet i fuqishëm në aspektin financiar, në vitin 2018, atëkohë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj gjatë forumit të biznesit Kosovë – Arabi Saudite në Prishtinë, kishte thënë mes tjerash se bizneset arabe janë të interesuara të investojnë në Kosovë, duke përmendur fusha si industria e ushqimit, bujqësia, prodhimi dhe menaxhimi i mbeturinave, dhe shumë fusha të tjera.

Nga 1 janari qytetarët e Kosovës nisën lëvizjen e lirë për në 27 shtetet e zonës Schengen me pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh. Valles më 6 janar ju kap edhe Spanja, për të pasuar edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe.