Xhavit Drenori, - Foto: KALLXO.com

Xhavit Drenori dënohet për shpifje ndaj Ramiz Lladrovcit

Ish-asamblisti i Kuvendit Komunal të Drenasit, Xhavit Drenori ka humbur rastin në gjykatë ndaj kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci i cili e ka paditur për shpifje.

Lladrovci kishte paditur Drenorin pasi sipas tij i ka dëmtuar reputacionin, pasi  ka postuar një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin thuhet se “Bizneseve të Drenasit iu ktheu shpinën duke i dënuar e shantazhuar (sepse ishin “identifikuar” si jo votues të tij)”.

Gjykata e Prishtinës, dega Gllogoc i ka aprovuar si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë, Ramiz Lladrovcit. Lidhur me këtë aktgjykim të dy palët kanë paralajmëruar ankesë.

Ndërsa me këtë aktgjykim, i padituri Drenori detyrohet që t’ia kompensojë Lladrovcit dëmin jomaterial, sa i përket publikimit të deklaratës dhe faktit të pavërtetë në shumën prej 2,600.00 euro.

Kjo për shkak të dëmtimit të reputacionit të Lladrovcit me kamatë prej 8%, duke llogaritur nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Po ashtu sipas këtij aktgjykimi, Drenori detyrohet që pas pranimit të këtij aktgjykimi ta tërheq informacionin shpifës prej llogarisë së tij në Facebook.

Ndërsa paditësit, i është refuzuar si e pabazuar, pjesa tjetër e kërkesëpadisë në shumën prej 5,000.00 euro, në emër të dëmit material, për shkak të rrezikimit të ekzistencës materiale si dhe pjesa e kërkesëpadisë mbi shumën prej 2,400.00 euro në emër të dëmit jomaterial të pësuar nga publikimi i deklaratës së pavërtetë apo shuma e përgjithshme e refuzuar prej 7,400.00 euro.

Avokati i Lladrovcit, Florim Shefqeti ka thënë për KALLXO.com se janë duke e shqyrtuar mundësinë për të bërë ankesë, sa i përket këtij aktgjykimi për pjesën që është refuzuar, pasi që sipas tij kjo ka të bëjë me bazueshmërinë e procedimit bazik, pasi që është refuzuar pjesa që ka të bëjë me cenimin e vlerave jomateriale, pjesës që i referohet fyerjes në raport me Lladrovcin.

“Ne në seancë kemi kërkuar që konform nenit 15 të Ligjit kundër shpifjes dhe fyerjes, Gjykata do të detyrojë të paditurin që të kërkojë falje, gjë që nuk na është aprovu kjo pjesë. Jemi duke e shqyrtu mundësinë që të bëjmë ankesë. Kjo pjesë nuk ka relevancë, sepse nuk ka qenë idea për me u pasuru, paditësi vetëm se ka deklaru që mjetet e kompensimit kanë me iu dediku, Shoqatës së Pensionistëve dhe Shoqatës së të Verbërve”, shtoi avokati Shefqeti.

Ndërsa avokati i të paditurit Drenori, Gazmend Halilaj tha për KALLXO.com se aktgjykimi është nxjerrë me shkelje flagrante të dispozitave të procedurës kontestimore.

“Nuk është analizuar se a ka përbërë fyerje, shpifje apo denigrim ai koment, pa u analizu se vërtetë ka qenë nga Facebook-u i Drenorit, pasi ka qenë vetëm një foto screenshot. Në njëfarë mënyre  është vënë në dispozicion të politikës, duke injoru çdo provë dhe Gjykata ka zgjedhur rrugën më të shkurtë, duke aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit”, shtoi avokati Halilaj.

Ndërsa i padituri në këtë rast, Xhavit Drenori tha për KALLXO.com se nuk është i dënuar, por i persekutuar.

“Nuk jam i dënuar, por i persekutuar dhe drejtësia është e ndikuar prej politikës”, tha Drenori.

Sipas padisë më datë 16 shtator 2017, i padituri në llogarinë e tij në Facebook ka postuar një shkrim për Ramiz Lladrovcin, në të cilin thuhet se “Bizneseve të Drenasit u’a ktheu shpinën duke i dënuar e shantazhuar (sepse ishin “identifikuar” si jo votues të tij)”.

Shkrimi u publikua në disa portale, kryesisht të nivelit lokal, duke shtuar se deri më tani, paditësi nuk ka asnjë rast përmes të cilit në çfarëdo forme, është ftuar në cilësinë e të dyshuarit potencial apo të akuzuarit për veprime të tilla, të cilat janë të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje në padi thuhet se, me deklarimin e këtyre shpifjeve me të dhëna të pavërteta, paditësi ka pësuar dëme për shkak të dëmtimit të reputacionit, pasi që janë bërë në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2017, në të cilat zgjedhje Lladrovci ka qenë i certifikuar si kandidat për kryetar komune.