Rozeta Hajdari, seancë gjyqësore 09.10.2023, Foto: Kallxo.com

Rozeta Hajdari, seancë gjyqësore 09.10.2023, Foto: Kallxo.com

Seanca ndaj ministres Hajdari, kundërthënie mes avokatëve për mbylljen e seancës për publikun

Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, ka dalë sot para gjykatës së Prishtinës, lidhur me rastin e aksidentit ku ishte goditur një fëmijë.

Avokati mbrojtës i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku kërkoi sot para Gjykatës që kjo seancë të mbyllet për median dhe publikun për shkak se në aksident është e përfshirë një vajzë e mitur.

‘’Fillimisht kërkoj nga gjykata që të marrë një aktvendim që kjo seancë të mbahet e mbyllur me arsyetimin se kemi të bëjmë me rastin e aksidentit me të mitur, për hir të mbrojtjes së të miturës, identitetit të saj dhe të familjes së saj, kërkoj me mirësjellje nga gjykata që këtë seancë ta mbajë të mbyllur’’ – theksoi avokati Bunjaku.

Ky propozim u kundërshtua nga avokati i të dëmtuares Florim Shefqeti, i cili theksoi se kjo lëndë është zvarritur për një periudhë kohore prej 9 muaj dhe se kjo kërkesë nuk është e bazuar.

’’Ne konsiderojmë që duke patur parasysh që kjo lëndë ishte zvarritur për 9 muaj për nxjerrjen e eskpertizës, rrjedhimisht kërkesa për mbylljen e seancës nuk është e bazuar, ajo mund të bëhet vetëm në pjesën kur do të administrohet si provë audioincizimi, sepse vetëm në atë pjesë shihet fëmija i mitur’’ – tha avokati Shefqeti.

Tutje, avokati Shefqeti shtoi se në këtë fazë të procedurës do të dëgjohet vetëm e pandehura Rozeta Hajdari andaj nuk ka kuptim mbyllja e seancës për publikun.

I njëjti kërkoi nga gjykata edhe ndalimin e publikimit të videoincizimit nga ngjarja e aksidentit dhe detyrimin e tërheqjes nga portale dhe personat fizikë që kanë bërë publikimin e saj në mënyrë të paautorizuar.

Sipas tij, kjo bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Avokati mbrojtës i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku prapë theksoi që kjo seancë duhet të mbyllet për publikun sepse ‘’Në bazë të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve neni 39 par.4, kemi detyrim ligjor që kjo seancë të mbahet e mbyllur’’ – shtoi i njëjti.

Gjyqtari i çështjes, Shaqir Mazreku mori aktvendim për mbylljen e seancës për median dhe publikun përkitazi me Kodin e Procedurës Penale.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë çështje do të mbahet më 11 tetor.

Gjykata, në një shqyrtim të mëparshëm më datën 08 dhjetor 2022, ka vendosur të caktojë një grup ekspertësh për të zhvilluar një super ekspertizë, pasi ekspertiza e paraqitur në gjykatë dhe ajo e prezantuar nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të pajtueshme.

Ky vendim u mor pasi avokati i ministres Rozeta Hajdari, avokati Shemdi Bunjaku, propozoi që të zhvillohej një ekspertizë shtesë nga një grup ekspertësh, me qëllim që të verifikohej gjendja faktike reale e ngjarjes.

Në të njëjtin kontekst, mbrojtësi i të dëmtuarës, Florim Shefqeti, shprehu që ekspertiza e propozuar nga pala e pandehur ishte e ndryshme nga ajo që ishte prezantuar dhe kërkoi që të mos konsiderohej e njëjtë.

Ky vendim u mor pasi avokati i ministres Rozeta Hajdari, avokati Shemdi Bunjaku, propozoi që të zhvillohej një ekspertizë shtesë nga një grup ekspertësh, me qëllim që të verifikohej gjendja faktike reale e ngjarjes. Në të njëjtin kontekst, mbrojtësi i të dëmtuarës, Florim Shefqeti, shprehu që ekspertiza e propozuar nga pala e pandehur ishte e ndryshme nga ajo që ishte prezantuar dhe kërkoi që të mos konsiderohej e njëjtë.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari është filluar nga stacioni policor, në veçanti nga njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur më datën 10 prill 2022, në orën 12:25, në lagjen Arbëria të Prishtinës, ku një vajzë e mitur u aksidentua.

Ministria Hajdari është ngarkuar me akuza për mospërshtatje të shpejtësisë dhe për aksident në komunikacion me lëndime trupore të përfshira.

Seanca ndaj ministres Hajdari mbyllet për publikun