Avokati përmend emrat e anëtarëve që u shqiptuan masa mjekëve që u deklaruan për media

Avokati Florim Shefqeti thotë se në disa vendime të komisionit disiplinor të ShSKUK-së për disa mjekë janë shqiptuar masa për prononcime në media pa leje paraprake.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se dy mjekëve iu caktua masa për ndalim të ngritjes së pozitës për pesë vite dhe një tjetër me ndalim në pagë.

“Në disa vendime ku janë shqiptuar masat disiplinore për mjekët thuhet se në emision televiziv është prononcuar pa koordinim dhe pa leje paraprake. Këtu është cenuar liria e shprehjes dhe ligji për sinjalizues”, ka thënë Shefqeti.

“Për dy mjekë ka qenë masa për ndalim në ngritje në pozitë për 5 vite, ndërsa një drejtoreshë, ndalim në pagë për 40%”, ka thënë ai.

“Komisioni që penalizoi mjekët pse folën për lista të pritjes e mungesë ilaçesh janë: Shpend Haxhibeqiri, Violeta Grajqevci, Jehona Vasolli, Havushe Rexhepi, Zana Morina dhe Artan Ahmeti”, tha ai..

Sipas tij, anëtarë të komisioneve disiplinore deklaruan se kanë presion t’i dënojnë personat që kanë potencial për pozita menaxheriale.