Denoncimi në ShSKUK për presion në kurdisje të tenderëve

Avokati Florim Shefqeti ka thënë se anëtar të bordit të ShSKUK-së përmes kandidatëve që po synojnë pozitat e drejtorëve kanë kërkuar që specifika të tenderëve të vendosen në shpallje publike.

Shefqeti në emisionin Kallxo Pernime tha se kjo i bie që ka pasur presion për kurdisje të tenderëve.

“Ka pas raste ku pjesëmarrës ose anëtar të bordit që tani janë në komisionin përzgjedhës përmes kandidatëve që tani pretendojnë t’i bëjnë drejtorë kanë kërkuar që specifika të tenderëve të vendosen në shpallje publike. Logjikisht kjo i bie që ka pas tentim për presion në kurdisje të tenderëve”, thotë Shefqeti.

Sipas tij, rasti është duke u hetuar në polici dhe ka prova që e dëshmojnë këtë.

“Ky rast po hetohet në polici dhe ka prova që do e dëshmojnë, po flasim për këta anëtarët e bordit të tanishëm. Këto specifika për tenderët janë dërguar përmes USB-ve,”, shtoi avokati.

Sipas avokatit Florim Shefqetit rast konkret për kurdisje të tillë mund të jetë lista e barnave esenciale.

“Specifikat e tenderit janë të gjitha kërkesat mjekësore për pajisje dhe shërbime që nuk mund të ofrohen nga institucioni dhe nevojitet kontraktimi i një institucioni të jashtëm, rast konkret për këtë është lista esenciale e barnave. Pra, nëse një listë e tillë i përshtatet një kompanie që mund të kryejë furnizim me ato produkte” shtoj më tej Shefqeti.