Avokati Shefqeti: Disa mjekë u përballën me procedura disiplinore pas deklarimeve publike për gjendjen në QKUK

Avokati Florim Shefqeti thotë se shumë prej mjekëve që kandiduan për pozita të drejtorëve të klinikave të ShSKUK-së nuk flasin për ankesat e tyre pasi kanë qenë pjesë e procedurave disiplinore.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se dërgimi i tyre në këtë komision disiplinor kishte ardhur pas deklarimeve që bënë në media për gjendjen në QKUK.

“Mjekët që përfaqësoj nuk flasin publikisht për ankesat e tyre në këtë konkurs pasi pjesa më e madhe kanë qenë subjekt i procedurave disiplinore në kuadër të komisionit të QKUK-së. Për fat të mirë, ky komision ka dhënë dorëheqje së fundmi”, tha ai.

“Dërgimi i tyre në këtë komision ka qenë se ata kanë folur për parregullësitë që e kanë shoqëruar menaxhimin dhe dhënien e shërbimeve për qytetarë. Disa prej tyre këto deklarime i kanë bërë në media”, shtoi tutje Shefqeti.

Avokati tha se përfaqësimi i tij për mjekët shtrihet në disa sfera duke nisur prej atyre administrative.

“Unë përfaqësoj disa mjekë, ky përfaqësim shtrihet në disa sfera duke nisur nga ato administrative, doktorët si Bujar Gjikolli ish-drejtor i Radiologjisë, Zejn Buja, Basri Lenjani, Saudin Maliqi, Nehat Baftiu, Luljeta Maqedonci dhe Agron Qerimi, në procedura penale dhe civile për shkak të procedurave disiplinore që janë zhvilluar”, ka thënë Shefqeti.

Avokati potencon se, sipas QKUK-së, mjekët është dashur të heshtin që të mos kuptonin qytetarët se ka mangësi.