Vyrtyte Gërvalla: Është alarmuese shkelja e të drejtës për një gjykim në kohë të drejtë

Vyrtyte Gërvalla nga zyra ligjore e BIRN-it tha se përkundër asaj që sistemi gjyqësor ka mekanizma për të siguruar një stabilitet në kuadër të sistemit, kjo nuk është duke ndodhur pasi të dhënat prezantojnë zvarritje në zhvillimin e procedurave para gjykatave.

“Të gjendemi në një diskrepancë të tillë të trajtimit të lëndëve mes gjykatave, në radhë të parë e konsideroj që është edhe mungesë e cilësisë së profesionalizimit të disa gjyqtarëve, për të shkuar tutje në moskoordinim të burimeve njerëzore brenda gjykatave në sistemin gjyqësor të Kosovës”, tha Gërvalla në emsionin ‘Kallxo Përnime’.

Gërvalla tha se është alarmuese shkelja e të drejtës për një gjykim në kohe të drejtë dhe të arsyeshëm, pasi sipas saj, në sistemin tonë gjyqësor kemi mungesë të një mjeti efektiv për realizimin e kësaj të drejte.

“Çka ju mbetet qytetarëve që ju shkelet kjo e drejtë është dërgimi i lëndëve në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se kjo Gjykatë konstaton që kemi shkelje të kësaj të drejte, pastaj ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka karakterin deklarativ, e qytetarit i mbetet të padisë gjykatat që kanë trajtuar lëndët, dhe kështu të hyjë prapë në procedurë gjyqësore për vite të tëra”, shtoi ajo.

Ajo tha se kjo është pasi Gjykata Kushtetuese nuk shqipton dëmshpërblim, duke shtuar se ka raste kur qytetarët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e pretenduar të kësaj të drejte.

KALLXO.com ka publikuar analizën qe tregon për zvarritjet e lëndëve civile në gjykata, dallimet mes kohëzgjatjes se trajtimit të këtyre lëndëve, si dhe llojet e  lëndëve civile që gjykatat janë më së shumti të ngarkuara.