Drejtësia e vonuar në trajtimin e lëndëve civile

Një qytetar i Prishtinës dëshiron që një çështje civile ta zhgjidhë në Gjykatën e Prishtinës, por ai duhet të llogarisë që lënda e tij do zgjasë të paktën 41 muaj për t`u zgjidhur.

Një nënë e cila pret të marrë alimentacionin për mbajtjen e fëmijëve të saj mund ta ketë të njëjtin fat, pasi lëndët kontestimore presim me vite në gjykatat tona. 

Një hulumtim në databazën e të dhënave të hapura na tregon që gjykatat e Kosovës janë në kolaps në zgjidhjen e çështjeve kontestimore, kjo pasi nuk arrijnë të zgjidhin më shumë se gjysmën e lëndëve të cilat i kanë në punë.

Të dhënat tregojnë edhe për mungesë cilësie në punën e gjykatave dhe ndarje jo të drejtë të resurseve të gjyqtarëve që i kryejnë lëndët. Kjo dëshmohet me faktin se në disa gjykata efikasiteti në zgjidhje shkon deri në 70 % të lëndëve të pranaura në punë. Kurse në disa gjykata e shifrat janë më të ulëta.

Lëndët kontestimore janë lëndët ku mes palëve në procedurë ekziston një kontest nga marëdhëniet juridiko-civile, e këto raste proceduralisht zgjidhen duke aplikuar ligjin për procedurën kontestimore.

Si rrjedhojë këto janë edhe lëndët më të vështira për t`u zgjidhur në lëminë civile. Nga to varen miliona euro prona dhe fati i familjeve e bizneseve që presin vendimin e gjykatës.

Të dhënat na tregojnë që në të gjitha gjykatat e Kosovës në vitin 2021 kanë pas në punë 108,164 lëndë të kësaj natyre, derisa janë zgjidhur vetëm 23077.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Statistikat për këto raste janë alarmante për sistemin e drejtësisë pasi tregojnë se për 3 vite të gjitha gjykatat në Kosovë së bashku me dëgët e tyre i kanë lënë pa i zgjidhur 34 mijë e 885 raste, nga 46 mijë  620 sa i kanë pasur në punë.

Llogaritjet tregojnë se 75% e lëndëve të pranuara nuk janë zgjidhur. 

Sipas statistikave në vitin 2016 gjykatat  arrinin t`i zgjidhnin 24.82% të lëndëve, në vitin 2017 kanë zgjidhur 26.19% dhe në vitin 2018 kanë kryer 24% të këtyre lëndëve.

E drejta për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, paraqet detyrim të gjykatave në kuadër të sistemit gjyqësor për trajtim në kohë e brenda afateve të lëndëve që procedohen para tyre.

Statistikat të publikuara në databazën e të dhënave të hapura tregojnë se kjo e drejtë e palëve po shkelet nga gjykatat e Kosovës.

Të dhënat në këtë analizë do të tregojnë për vonesat në trajtimin e lëndëve civile për rastet nga marrëdhëniet familjare, reale, kontestet e trashëgimisë, kontestet në bazë të kontratës dhe veprimeve juridike, për kompensimin e dënimit, dhe kontestet e punës.

 Gjendja në gjykata

Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Prishtinës dhe degët e saj:

Të dhënat për gjykatën e Prishtinës tregojnë se për 3 vite gjykata ka treguar një trend të ngjashëm të lëndëve të pazgjidhura, ku të dhënat tregojnë shumëfish lëndë të pazgjidhura në krahasim më ato të zgjidhura.

Gjykata e Prishtinës nuk ka arritur që për 1 vit të kryejë as 25% të lëndëve të kësaj natyre, kjo paraqet alarm për shkelje të së drejtës në gjykim në kohë të drejtë dhe të arsyeshme..

Të dhëna interesante për këto procese gjyqësore tregon edhe raporti i statistikave i nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Këto të dhëna tregojnë se Gjykata e Prishtinës gjatë periudhës së vitit 2021 në procedurën kontestimore mesataren e kohëzgjatjes për zgjidhjen e lëndëve e ka pasur në 1261 ditë, që i bie afërisht 3.4 vite.

Këto lëndë janë trajtuar nga një numër i gjykatësve që kap shifrën prej 31.

Ndërsa rastet në procedurën jokontestimore e kanë pas mesataren prej 2 viteve.

Raporti i punës së gjykatës së Prishtinës tregon se në vitin 2021 kjo gjykatë kas pasur efikasitet në trajtimin e lëndëve prej 44.42%.

Ndërsa raporti tregon se disa prej degëve të kësaj gjykatë ka pas efikasitet më të lartë se në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Kjo pasi dega në Podujevë ka pas efikasitet në trajtimin e lëndëve të kësaj natyre që shkon në 72.02%.

Po ashtu dega në Graçanicë ka pas efikasitet prej 77.21%.

Plani i punës së gjykatës së Prishtinës i nxjerrë në vitin 2022 shfaq të dhëna se kjo gjykatë në departamentin që trajton këto lëndë ka aktualisht 28 gjyqtarë. 

Ndërsa plani tregon se dega e gjykatës në Podujevë ka pas 3 gjyqtarë.

 Gjykata e Pejës me degët e saj

 Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Pejës dhe degët e saj:

Një trend më pozitiv se Gjykata e Prishtinës ka treguar gjykata e Pejës me degët e saj.

Të dhënat tregojnë se kjo gjykatë ka një përqindje më të lartë të lëndëve të zgjidhura në raport me gjykatën e Prishtinës, pasi në vitin 2016 ka zgjidhur 2102 lëndë, nga 6134 sa ka pasur në punë, pra ka qenë efikase në një përqindje prej 34.26%.

Rritje të efikasitetit kjo gjykatë ka treguar në periudhën pasuese, atë të vitit 2017 dhe 2018, ku në vitin 2017 është rritur efikasiteti në 37%, ndërsa viti 2018 e gjeti me efikasitet prej 37.69%.

Ndërsa raporti statistikor i KGJK-së për vitin 2021 tregon se kjo gjykatë në procedurë kontestimore ka treguar efikasitet mbi 65%, ndërsa mesatarja e zgjidhjes se një lëndë të kësaj natyre është 572 ditë apo 1 vit e 5 muaj.

Plani i punës i kësaj gjykate tregon se kjo gjykatë në zgjidhjen e lëndëve civile ka 7 gjyqtarë.

Gjykata e Gjilanit dhe degët e saj

Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Gjilanit dhe degët e saj:

Gjykata e Gjilanit me degët e saj për 3 vite radhazi nuk kanë arritur të kryejnë as gjysmën e lëndëve, pasi efikasitetin në trajtim të lëndëve e ka pasur prej 28% deri 30%.

Kjo gjykatë në vitin 2016 ka lënë 4001 lëndë pa iu dhënë zgjidhje. Të dhënat tregojnë se kjo gjykatë për 3 vite ka zgjidhur 4966 lëndë, nga 16602 sa ka pasur në punë.

Ndërsa në vitin 2021 kjo gjykatë ka pas efikasitet shumë më të lartë në krahasim më gjykatat tjera, kjo pasi raporti statistikor i KGJK-së jep të dhëna se kjo gjykatë ka pasur efikasitet prej 94% në trajtimin e këtyre lëndëve (pa degët).

Mesataren e kohëzgjatjes se lëndëve të zgjidhura në procedurën kontestimore për këtë vit kjo gjykatë e ka pas 674 ditë, që i bie mesatarisht 1 vit e 8 muaj.

E dhënë interesante për këtë gjykatë nga Raporti i KGJK-së del se degët e saj kanë pas efikasitet më të ulët në krahasim me qendrën, pasi dega në Kamenicë për vitin 2021 ka pasur efikasitet prej 76%, ndërsa ajo në Viti prej 53%.

Plani vjetor për vitin 2022 i kësaj gjykate tregon se për trajtimin e këtyre lëndëve kjo gjykatë ka 9 gjyqtarë.

Gjykata e Prizrenit me degë

 Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Prizrenit dhe degët e saj:

Gjykata e Prizrenit për 3 vite edhe pse ka treguar efikasitet me të lartë në krahasim më gjykatën e Gjilanit, prapë nuk ka arritur t`i përfundoj as gjysmën e lëndëve në punë për këto konteste.

Kjo pasi në vitin 2016 ka pasur efikasitet prej 47.27%,  në vitin 2017 ka pas një rritje të lehtë të efikasitetit që kap shifrën 49.84%, ndërsa në vitin 2018 kishte efikasitet prej 49.37%.

Ndërsa raporti i KGJK-së për vitin 2021 tregon se trendi i zgjidhjes së lëndëve ka mbetur i njëjtë pasi efikasitetin kjo gjykatë e ka pasur 59%.

Mesataren në kohëzgjatje për zgjidhjen e lëndëve civile në procedurën kontestimore në këtë vit kjo gjykatë e ka pas 584 ditë, që i bie 1 vit e 6 muaj.

Numri i gjyqtarëve që ka pasur kjo gjykatë për të arritur këtë efikasitet ka qenë prej 9 gjyqtarëve, ndërsa plani i punës seë vitit 2022 shfaq të dhëna se kjo gjykatë ka 6 gjyqtarë. 

Gjykata e Mitrovicës

Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Mitrovicës dhe degët e saj:

Edhe gjykata e Mitrovicës për 3 vite radhazi nuk ka arritur t`iu jep zgjidhje as gjysmës së lëndëve. Efikasiteti në trajtimin e lëndëve për këto 3 vite ka shkuar mesatarisht prej 33.86 deri në 34%.

Ndërsa rritje të efikasitetit kjo gjykatë ka treguar në vitin 2021 ku raporti vjetor i KGJK-së tregon se gjykata ka arritur të jetë efikase në një shkallë prej 65.06 %. 

E që mesataren e kohëzgjatjes se lëndëve të zgjidhura në procedurën kontestimore kjo gjykatë e ka 1016 ditë.

Që do të thotë se për trajtimin e një lënde në këtë procedurë gjykatës i janë dashur 2 vite e 7 muaj.

Gjykata e Gjakovës

Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Gjakovës dhe degët e saj:

 

Edhe Gjykata e Gjakovës për 3 vite radhazi nuk ka arritur t`u japë zgjidhje as gjysmës së lëndëve, ndërsa efikasiteti për këto 3 vite është rritur fare pak. Kjo pasi kjo gjykatë në vitin 2016 ka qenë efikase në 39.43% të lëndëve, 2017 38.44% dhe 2018 efikasitetin e ka pasur 37.14%.

Rritje kjo gjykatë ka treguar në vitin 2021 pasi sipas raportit të punës së KGJK-së gjykata e Gjakovës ka qenë efikase në trajtimin e lëndëve civile në një shkallë prej 66.54%.

Edhe mesatarja e kohëzgjatjes se një lënde ka qenë më e vogël se gjykatat tjera, pasi kjo gjykatë lëndët në procedure kontestimore ka arritur që t`i zgjidh në një periudhë prej 54 ditësh.  

 Gjykata e Ferizajt

 Gjendja e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Ferizajit dhe degët e saj:

Gjykata e Ferizajt për 3 vite ka shkuar duke e ulur efikasitetin në trajtimin e këtyre lëndëvë për një vit, pastaj duke treguar rritje në vitin tjetër pasues.

Kjo pasi ka shkuar prej 49.12% në 41.62%, e vitin 2018 ka pas rritje te efikasitetit në 49.87.

 Procedura në Gjykatën e Apelit

Në shkeljet e së të drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme ndikojnë padyshim edhe kthimi i lëndëve në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Monitorimi i proceseve të shumta gjyqësore vë në pah praktikën që Gjykata e Apelit në raste kur mund të vendos në mënyrë meritore për një lëndë sipas ankesës, e kthen rastin në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Një praktikë e tillë po i mbingarkon gjykatat e shkallës së parë në nivel vendi.

Tabela e mëposhtme do të tregojë gjendjen në gjykatën e Apelit ndër vite:

Për vitin 2015 gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimet e shkallës se parë në 2008 raste, në 96 raste është hedhur poshtë ankesa, ndërsa janë kthyer në rigjykim 1101 aktgjykime.

Nëse analizojmë të dhënat ndër vite shohim se rritje të kthimit të lëndëve në rigjykim kemi në vitin 2019, ku gjykata e Apelit ka kthyer 2368 aktgjykime gjykatave të shkallës së parë, ndërsa në vitet e kaluara ky trend ka qenë më i ulët.

Të dhënat për 5 vite tregojnë se gjykata e Apelit për 145 raste e ka kthyer çështjen në rivendosje për shkak të vërtetimit të gabueshëm apo jo të plotë të gjendjes faktike, çka do të thotë se gjykatat e shkallës së parë i kanë vërtetuar gabimisht faktet në dosjet e lëndëve ose nuk i kanë vërtetuar ato fakte në mënyrë të plotë.

Për këto 5 vite sipas gjykatës së Apelit gjykatat e shkallës së parë me rastin e trajtimit të lëndëve kanë shkelur dispozitat procedurale në 2425 raste, çka do të thotë se gjykatësit kanë gabuar në udhëheqjen e procedurës për këto lëndë.

Ndërsa 3067 vendime janë kthyer për shkak të paraqitjes se fakteve dhe provave të reja.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.