Vërshimet në Slloveni, Foto: Armend Mehaj (Facebook)

Mehaj: FSK e gatshme ta ndihmojë Slloveninë pas vërshimeve

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e gatshme t’i ofrojë ndihmë Sllovenisë pas vërshimeve të fundit në këtë shtet.

Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka shkruar se ekipet e Gardës Kombëtare të FSK-së të Njësisë së Kërkim-Shpëtimit janë në gatishmëri të ofrojnë kontributin e tyre në evakuimin e banorëve në zonat e prekura si dhe vënien nën kontroll të situatës.

“Jemi të gatshëm që autoriteteve sllovene t’u ofrojmë gjithë ndihmën e nevojshme brenda kapaciteteve të FSK-së, duke parë gjendjen e vështirë me të cilën po përballen tash e disa ditë pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe përmbytjeve në 2/3 e vendit”- ka shkruar ai.

Mehaj po ashtu ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura.

“Shpreh ngushëllime për jetët e humbura dhe solidarizim me të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga kjo stuhi. Shpresojmë që vendi sa më parë t’i kthehet normalitetit”- ka shkruar ai.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga shirat e mëdha dhe vërshimet në Slloveni është rritur në gjashtë, raportuan mediat lokale të hënën.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, i ka përshkruar shirat dhe vërshimet e mëdha si fatkeqësinë më të madhe natyrore që tri dekadat e fundit.

 

Rritet në gjashtë numri i të vdekurve nga vërshimet në Slloveni