Vërshimet në Prishtinë, Përparim Rama iu bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar

Moti i ligë ka përfshirë kryeqytetin, ku brenda pak minutave rrugët u vërshuan si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të forta.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve me automjete dhe të mos dalin nëse nuk është e domosdoshme.

“Ju bëj thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve me automjete, dhe të mos dalin nëse nuk është e domosdoshme, për shkak të kushteve atmosferike. Jemi në terren dhe në gatishmëri të qytetarëve”- ka shkruar Rama në Facebook.

KALLXO.com pak më parë ka raportuar edhe për rrëzimin e një kulmi të një ndërtese në lagjen “Bregu i diellit”, si pasojë e erërave të forta, rrugët e vërshuara e lisa të thyer.

Në anën tjetër, KEDS njoftoi se për shkak të motit të ligë që ka përfshirë një pjesë të madhe të Kosovës, një numër i caktuar i daljeve janë jashtë funksionit.

Sipas KEDS, si pasojë e këtij moti, i përcjellë me shi e erëra të forta, rajonet më të prekura në rrjetin elektroenergjetik janë Gjakova, Prizreni, Ferizaj, si dhe një pjesë e Pejës dhe Prishtinës.

Kurse, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dje ka njoftuar se gjatë fundjavës pritet të ketë reshje shiu dhe shkarkim rrufesh.

“Reshjet më intensive parashihen ditën e diele, ku do të ketë edhe shkarkime rrufesh, por edhe dita e shtune parashihet të ketë reshje në shumë zona”- thuhet në njoftim.

Temperaturat minimale do të shënohen nga 12 gradë celsius ndërsa ato maksimale gjatë fundjavës dot ë shkojnë deri në 28 gradë celsius.