Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mehaj pas vërshimeve në disa vende të Kosovës: Nuk është e nevojshme ndërhyrja e FSK-së

Pas vërshimeve si pasojë e reshurave të shiut si dhe erërave të forta në vend, ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj ka thënë se ka biseduar në telefon me kryetarët e dy komunave më të prekura, Prishtinës dhe Rahovecit, me Përparim Ramën dhe Smajl Latifin.

Ministri i Mbrojtjes thotë se gjendja me vërshimet është e qetë dhe ndërhyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk është e nevojshme, gjë që është konfirmuar edhe nga dy kryetarët.

“Pas reshjeve të shiut që kishim sot dhe pas informacioneve që në komunën e Rahovecit dhe Prishtinës mund të jetë rënduar gjendja nga vërshimet, kam telefonuar kryetarin Latifi dhe Rama me të cilët kam biseduar për gjendjen dhe nevojën për t’iu dalur në ndihmë. Fatmirësisht gjendja është e qetë dhe nuk ka vërshime të mëdha rrjedhimisht ndërhyrja jonë nuk është e nevojshme sipas kryetarëve të dy komunave”- ka shkruar Mehaj.

Ai thotë se vërshimet në këto kohë janë bërë të shpeshta teksa ka shprehur se gatishmëria e tyre është gjithnjë në nivel.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar edhe për rrëzimin e një kulmi të një ndërtese në lagjen “Bregu i diellit”, si pasojë e erërave të forta, rrugët e vërshuara e lisa të thyer.

Në anën tjetër, KEDS njoftoi se për shkak të motit të ligë që ka përfshirë një pjesë të madhe të Kosovës, një numër i caktuar i daljeve janë jashtë funksionit.

Sipas KEDS, si pasojë e këtij moti, i përcjellë me shi e erëra të forta, rajonet më të prekura në rrjetin elektroenergjetik janë Gjakova, Prizreni, Ferizaj, si dhe një pjesë e Pejës dhe Prishtinës.

Kurse, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dje ka njoftuar se gjatë fundjavës pritet të ketë reshje shiu dhe shkarkim rrufesh.

“Reshjet më intensive parashihen ditën e diele, ku do të ketë edhe shkarkime rrufesh, por edhe dita e shtune parashihet të ketë reshje në shumë zona”- thuhet në njoftim.

Temperaturat minimale do të shënohen nga 12 gradë celsius ndërsa ato maksimale gjatë fundjavës dot ë shkojnë deri në 28 gradë celsius.

Ndërkaq, javëne kaluar, të shtunën në mbrëmje qyteti i Pejës u përballë me vërshime të mëdha. Nënë e djalë kanë vdekur si pasojë e atyre vërshimeve.