Vritet një pjesëtar i grupit të armatosur në veri të Kosovës

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar për situatën në Banjskë të Zveçanit.

Policia bën të ditur se njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje u janë kundërpërgjigjur sulmuesve, dhe referuar informacioneve të Policisë së Kosovës, një nga sumuesit është vrarë.

“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”- thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se situata në veri të vendit, konkretisht në fshatin Banjskë, vazhdon të jetë e tensionuar.

“Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”- thuhet në njoftim.

“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”- thekson Policia.

Pas situatës së krijuar, PK bën të ditur se për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri Jarinje dhe Bërnjak.

“Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë”- thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Zhvillimet e fundit rreth situatës në veri, mund t’i lexoni në këtë LINK.